Prokuroria kërkoi burg përjetë për Fatjon Karmeshtën, i akuzuar si ekzekutori i Suela Sulës, me porosi të Sadetin Sules pronarit të mobilierisë ku ishte punësuar.Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u dha sot pretenca.

Në qershor të vitit të shkuar, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm Sadetin Sulën, i akuzuar si porosites i vrasjes së bashkëshortes Suela Sula, me 18 prill në Shkodër.

Suela Sula, 38-vjeçarja nëna e tre fëmijëve, u gjet e mbytur në tualetin e mobilerisë e cila ishte në bashkëpronësi me bashkëshortin e saj, Sadetin Sula, në Shkodër, në prill të 2016.

Ngjarja tronditi mbarë opinionin. Fillimisht u mendua se Sadetin Sula ishte personi që kishte mbytur me duar bashkëshorten e tij por hetimet e thelluara zbuluan diçka tjetër.Analiza e ADN-se zbuloi se ekzekutori material i krimit është Fatjon Karmeshta, punëtor në mobilieri por dhe njeriu me të cilin Sadetini kishte raporte të ngushta.

Me bindjen se Fatjoni “kreu krimin në bashkëpunim dhe me porosi të të pandehurit Sadetin Fadil Sula” prokuroria kërkoi arrestimin e tij.Që në momentin e arrestimit Sadetini ka mohuar të ketë qenë autori i vrasjes.