Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dënuar me 23 vite burg Xhoana Hilën e akuzuar për vrasjen e gjyshes së saj Angje Hila dhe 20 vite burg për Erando Qatipin ish të dashurin e Xhoanës që po ashtu akuzohet si bashkëpunëtor në këtë krim të rëndë.

Ngjarja ndodhi 2 vite më parë në 22 shkurt të 2015-ës kur 82-vjeçarja Angje Hila u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në lagjen Gjuhadol të qytetit të Shkodrës. Fillimisht ngjarja mbeti thuajse e pazbuluar por disa kërkime të djalit të viktimës Andrea Hila njëkohësisht edhe xhaxhai i autores së krimit Xhoana Hila çuan drejt zbardhjes së kësaj çështje. Policia dhe prokuroria arritën të mbledhin prova të mjaftueshme se autorë të dyshuar të vrasjes së 82-vjeçares janë Xhoana Hila dhe ish i dashuri i saj Erando Qatipi teksa pasi kanë mbytur të moshuarën kanë vjedhur në shtëpinë e saj sende me vlerë si unaza apo relike ari duke i shitur në tregun e zi më pas. Ky gjyq në ngarkim të këtyre dy shtetasve është shtyrë disa herë për të ardhur deri tek vendimi i 6 marsit pas më shumë se dy vitesh që nga momenti kur ndodhi vrasja. Prokuroria kërkoi 20 vite burg për Xhoana Hila për gjykata vendosi që ta dënojë me 23 vite. Organi i akuzës kërkoi 23 vite burg për Erando Qatipin dhe u dënua me 20 vite burg nga gjykata e Shkodrës.

Kjo seancë gjyqësore nuk është zhvilluar me gjykim të shkurtuar sepse avokatët mbrojtës të Xhoanës dhe Erandos nuk kanë pranuar fajësinë e klientëve të tyre edhe pse më përpara të të akuzuarit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë që gjykata e ka refuzuar. Përpara se të jepej vendimi avokatët mbrojtës kanë pretenduar se 82-vjeçarja Angje Hila nuk është vrarë nga dy të akuzuarit por mund të jetë helmuar nga rrethi familjar. Kjo alibi është hedhur poshtë nga ekspertiza mjekësore dhe doktori që kanë faktuar se viktima ka patur shenja dhune në fyt, në fytyrë dhe në trupin e saj duke mos patur nevojë për analiza të zorrës së trashë siç pretendoi mbrojtja. Djemtë e Anxhe Hilës, mes të cilëve edhe vetë babai i Xhoanës dhe xhaxhallarët e saj pretendojnë se është një “vrasje me paramendim” me pasojë me pas vjedhjen e sendeve me vlerë dhe jo e kundërta. Në seancën e 5 prillit të vitit të kaluar Erando Qatipi në prani në Xhoanës tha se është kjo e fundit që e ka vrarë gjyshen e saj dhe se ai s’ka qenë në banesë. 32-vjeçarja iu përgjigj menjëherë duke pranuar se ka hyrë për të vjedhur në shtëpinë e gjyshes por duke mohuar se është ajo autorja e vrasjes dhe duke ia faturuar ish të dashurit të saj. Pritet që djemtë e viktimës Angje Hila ta apelojnë këtë vendim që ka dhënë gjykata e shkallës së parë duke kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për dy të rinjtë.