Një tjetër seancë gjyqi për vrasjen e shtetases Angje Hila nga mbesa e saj dhe ish- i dashuri është shtyrë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.

Në këtë seancë gjyqësore gjykata duhej që të njihej edhe me një dëshmi tjetër të një dëshmitari mbi këtë ngjarje të ndodhur e më pas pritet të flasin dy të akuzuarit. Mosprania e prokurorit Xhevahir Lita ka bërë që gjyqtarja Luveda Dardha ta shtyjë këtë seancë me datën 6 korrik të këtij viti. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dy të akuzuarit Xhoana Hila dhe ish i dashuri i saj Erando Qatipi. Po ashtu të pranishëm ishin edhe dy avokatët mbrojtës të të akuzuarve. Salla ishte mbushur edhe me familjarë dhe të afërm të Angje Hilës e cila u gjet e vrarë në shkurtin e këtij viti në shtëpinë e saj. Dëshmitari do të merrej në pyetje përpara trupit gjykues por mungesa e prokurorit të çështjes Xhevahir Lita bëri që kjo seancë të shtyhet me 6 korrik. Katër dëshmitarë të tjerë kanë folur ndërsa nuk dihet nëse do të flasë edhe i pesti ndërsa me interes është se çfarë do të thonë të akuzuarit duke qenë se herën e parë kur u pyetën seanca u ndërpre për shkak të një acarimi mes njëri-tjetrit dhe akuzave të ndërsjellta mbi autorsinë e vrasjes së të moshuarës. Ky gjyq shtyhet për të disatën herë duke mos arritur që të ketë një shpejtësi më të madhe siç edhe kanë kërkuar herë pas herë familjarët, mes të cilëve njëri prej djemve të Angje Hilës, Andrea Hila, personi që ka bërë kallëzimin penal në prokurori duke patur dyshime të forta se nëna e tij është mbytur nga mbesa Xhoana dhe ish-i dashuri i saj Erando Qatipi. Nga dëshmitë e katër dëshmitarëve të deri tanishëm të gjitha rrugët të çojnë në një drejtim se dy të rinjtë janë autorët e krimit. Angje Hila u gjet e pajetë në shtëpinë ku banonte. Kur u mendua se mund të ishte një vdekje natyrale, djali i saj Andrea Hila arriti të krijojë dyshime të forta se nëna e tij është mbytur nga mbesa dhe ish-i dashuri pas një tentative për të grabitur të moshuarën teksa gjendej e vetëm në banesën e saj.

Artikulli paraprakSHIROKA DHE ZOGAJ PA ZYRË INFORMACIONI, TURISTËT NUK DINË KU TË DREJTOHEN
Artikulli tjetërDY PESHKAREXHA HUMBIN KONTAKTET NË DET TË HAPUR