Gjyqi ndaj të akuzuarit për vrasjen e të riut Hermes Beqiri në Shkodër ka marrë një rrjedhë tjetër. Autori i dyshuar Elvis Hoxha ka ndryshuar dëshminë e tij. Ai pretendon se nuk është autori i vrasjes dhe se nuk ka qenë aty në momentin e krimit të ndodhur.

Seanca e sotme gjyqësore u shty me 25 korrik për shkak se trupa gjykuese pret të njihet me disa prova të reja.

Pritet që të sillet si provë qelizat telefonike të autorit të dyshuar sepse ai pretendon se në momentin e vrasjes ka qenë në Malësinë e Madhe dhe jo tek lokali pranë Zooteknikës ku ndodhi ngjarja.

Po ashtu pritet të thirren dëshmitarët okular të ngjarjes për të dëshmuar. Në total janë 8 dëshmitarë.

Prokuroria ende nuk ka dalë me pretencën por në provat e paraqitura është arma e krimit që është gjetur në momentin e arrestimit të Elvis Hoxhës, xhaketa e autorit të dyshuar që prokuroria pretendon se ka mbetje baruti në të dhe deklaratat e disa prej dëshmitarëve pak ditë pas vrasjes së ndodhur.

Fillimisht Elvis Hoxha në paraburgim por edhe para nisjes së gjyqit të themelit ka pranuar autorësinë por më pas e ka ndryshuar versionin e tij duke pretenduar se ka qenë në Malësi të Madhe kur ka ndodhur vrasja dhe se nuk ka lidhje me atë krim.

Tashmë pritet zhvillimi i seancës së radhës me 25 korrik dhe seancave të tjera për të parë vendimin përfundimtar të kësaj çështje. Hermis Beqiri u qëllua mbrëmjen e 5 nëntorit 2017 teksa ndodhej në një lokal bashkë me disa shokë të tjerë.

Sherri erdhi pas një loje për një kapele që viktima mendohet se ia ka vënë në kokë autorit të dyshuar. Pas debatit Elvis Hoxha dyshohet se është rikthyer në lokal dhe ka qëlluar ndaj Hermes Beqirit.

Ky i fundit mbeti i plagosur por pas orësh u nda nga jeta. Policia arrestoi autorin e dyshuar mbrëmjen e ngjarjes në një ndërtesë në fshatin Grudë.