Pesë ditë pas vrasjes së minoritarit në Gjirokastër dhe tensioneve mes dy vendeve, një oficer grek do të vijë sot në Gjirokastër për të ndjekur nga afër hetimet për ekzekutimin e Konstantinos Katsifas nga RENEA ditën e diel.

“Ne do të punojmë me policinë shqiptare për të marrë të gjitha informacionet në lidhje me hetimin për vrasjen e Kacifas” thuhet në njoftimin e autoriteteve greke, shkruajnë mediat në vendin fqinj.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve, polici grek do të udhëtojë në Shqipëri në bazë të një marrëveshje mes dy vendeve “në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh”, pasi një palë e huaj ka vetëm të drejtën e vëzhgimit të procesit.

Udhëtimi i oficerit në Shqipëri sipas mediave greke vjen vetëm disa orë pas një bisede telefonike mes zëvendës Ministrit të Jashtëm George Katrougalos me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.

Prokuroria e Gjirokastrës në bashkëpunim me Krimet e Rënda në Tiranë vijojnë hetimet në Shqipëri për vrasjen e grekut, trupi i të cilit ndodhet në morgun e QSUT për një ekspertizë të detajuar.

Ndërkohë që edhe pala greke ka hapur një hetim në Athinë. Konstantinos Katsifas u vra ditën e diel në Gjirokastër nga RENEA, pasi nuk pranoi që të dorëzohej dhe hapi zjarr kundër efektivëve.

Artikulli paraprakSHKODËR, GRANATË NË MAKINËN E PUNONJËSIT TË TATIMEVE
Artikulli tjetërBLOGERJA E NJOHUR RENDIT TIRANËN SI QYTETIN E DYTË MË TË MIRË PËR ARTISTËT