Ish-pjesëtari i policisë së Kosovës, Halit Zhdrrella, pasditen e së dielës kishte zgjedhur që ta kalonte në gjueti bashkë me nipërit e tij. Por, pushka me të cilën e ushtronte pasionin, i mori jetën 58 vjeçarit. Ai u vra aksidentalisht nga nipi i tij, T. Zh., 31 vjeçar në sy të fëmijëve. Ky i fundit ka qenë duke e pastruar pushkën e gjuetisë.

Ai është arrestuar, mirëpo organet e hetuesisë vendore e kanë lejuar që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të xhaxhait të tij.

Shtëpia e familjes Zhdrella, nga fshati Penuh, të Podujevës, të hënën ishte e mbushur me plot mysafirë. Gjithë këta ishin mbledhur për të ngushëlluar për vdekjen familjarit të tyre, Halil Zhdrella, i cili humbi jetën derisa kishte dalë për gjah. Në këtë familje të dielën mbrëma ndodhi një tragjedi.

Nipi e vrau axhën aksidentalisht, derisa kishte qenë duke e pastruar një pushkë gjuetie, me të cilën ai bashkë me xhaxhin planifikonin ta ushtronin pasionin e tyre për gjah. Por, një plumb i shkrepur pa dashje, ia mori jetën 58 –vjeçarit.

Media gjendet në familjen e të ndjerit. Ata janë të shokuar nga rasti dhe pohojnë se e gjithë ngjaja ndodhi aksidentalisht.“…krejt çka mund të themi është që ngjarja ka ndodhur aksidentalisht”, ka deklaruar një i afërm i viktimës.

Familja Zhdrella nga fqinjët përshkruhet si familje e respektuar.
“…nuk kemi fjalë për këtë rast. Për 1 mijë vite më Halit Zhdrellë nuk ka. Nuk e di se çfarë të them për këtë rast të rëndë. Familje më të mirë nuk ka”, ka deklaruar njëri nga fqinjët e viktimës.

Për ngjarje tragjike, media sot ka biseduar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka.
Beka, deklaroi se rasti është cilësuar si vrasje nga pakujdesia, duke dhënë detaje se si kishte ndodhur ngjarja.

Sipas Kryeprokurorit Beka, djali i vëllait të policit së bashku me fëmijët e policit kanë qenë duke e pastruar një pushkë gjuetie e cila më pas është shkrepur dhe ka qëlluar policin me inicialet H. Zh.

“Ngjarja ka qenë kështu, ata (T. ZH dhe fëmijët e policit) kanë qenë duke e pastruar pushkën e gjuetisë. Gjatë pastrimit, arma është shkrepur dhe ka qëlluar policin. Kjo ka bërë që ai të mos u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur. Është arrestuar i dyshuari T. ZH nga ana e policisë dhe është dërguar në mbajtje. Ai gjatë ditës së sotme do të lirohet për shkak të varrimit. Mund të ju them se nga hetimet deri më tani, rasti po cilësohet si vrasje nga pakujdesia”, tha Beka.

Ndërkohë edhe policia e Kosovës po e heton rastin. Të njëjtit kanë deklaruar se ky rast po cilësohet si ‘Vrasje nga pakujdesia”

Sipas policisë, mbrëmë rreth orës 21:00, në fshatin Penuh të Podujevës, nga arma e zjarrit është plagosur një person. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes, ku kanë hasur viktimën.

Zyrtari policor nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekja e viktimës është konstatuar nga stafi mjekësor në QKUK.
Ndaj nipit të policit, i cili dyshohet se aksidentalisht e shkrepi pushkën, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Artikulli paraprakPRANGA PESË TË ARRATISURVE SHQIPTARË QË HYNIN ILEGALISHT NË GREQI
Artikulli tjetërE DËNUAR 10 VJET NË ITALI, ARRESTOHET GRUAJA 41 VJEÇARE