Autorët e grabitjes së dështuar në Fier besonin se, në banesën që sulmuan mund të gjenin një sasi të konsiderushme parash “cash”, që shkonte deri në një milion euro.

Por, kjo e dhënë e siguruar nga policia në rrugë operative nuk ka rezultuar e vërtetë.
Nga verifikimet e uniformave blu, në banesën e Minella Muçit nuk është gjetur asnjë shumë e konsiderueshme monetare.

I zoti i shtëpisë jeton vetëm me bashkëshorten, ndërsa djali i tyre jeton prej vitesh në Meksikë.Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë ngatërruar objektiv.

Ndërkohë Arben Muça, i arrestuari i vetëm për tentativën e grabitjes në Fier, ku nga përplasja me policinë mbeti i vrarë 20-vjeçari Xhuljan Sollaku, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me uniformat blu.

Nga marrja në pyetje e 37-vjeçarit, i cili iu nënshrua një operacioni pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, nuk është nxjerrë asnjë e dhënë e vlefshme për hetimin.

Në kërkim vijon të jetë vëllai i tij, Ardi Muça, dhe një person tjetër, të cilët morën pjesë në grabitjen e dështuar.

Ndëkohë, nga hetimi paraprak i Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave, në bashkëpunim më Prokurorinë, ka rezultuar se policia ka reaguar sipas procedurave standarde, duke iu përgjigjur zjarrit me zjarr.