Gjykata e Apelit pranon kërkesën e Prokurorisë, dhe vendos të ashpërsojë masën ndaj biznesmenit Ervis Martinaj. Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Hysni Demiraj ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila kishte vendosur për herë të dytë ndaj tij, masën e arrestim burg me afat 30 ditor ndaj Martinajt.

Vetë Martinaj përmes avokatit të tij mbrojtës kërkoj lirinë në Gjykatën e Apelit, duke apeluar masën e vendosur nga shkalla e parë e gjyqësorit.

Organi i akuzës, kërkoi masën e arrestit me burg pa afat për Martinajn, pasi sipas tij ka prova e fakte që rëndojnë pozitën e biznesmenit.

Fillimisht hetimet ndaj Martinajt nisën për vrasjen e ndodhur në lokal ‘Monopoli’ në Bllok, në të cilin mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ndërsa Ervis Martinaj dhe shoku i tij Eljon Hate u plagosën.

Prokuroria ngriti akuza të rënda ndaj tij, si ajo e pastrimit të parave, falsifikimit të dokumentave, fshehjes së pasurisë, dhe organizimit të lojërave të paligjshme. Prova e fortë në dorë të Prokurorisë konsiderohet ekspertiza e kryer nga grupi izraelit në telefonin e Ervis Martinajt.

Ndërkohë avokati mbrojtës i 36-vjecarit tha se do të apelojë masën në Gjykatën e Lartë, gjykatë e cila është reduktuar në 4 anëtarë, si pasojë e procesit të vettingut dhe gjasat që kerkësa të merret në shqyrtim janë të pakta, gjithësesi deri atëherë pritet për t’u parë se si do të rrjedhë ky proces.

Për vrasjen në zonën e ish Bllokut janë arrestuar Ervis Martinaj, Eljon Hate dhe Geldo Hoti, ndërsa në kërkim janë Ervin Mata, Fabio Allushi, Meviol Bilo dhe A. Boshnjaku.