Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në orët e para të mëngjesit në Tiranë.

Një vajzë 19-vjeçe, e identifikuar si Xhuljeta Çuni nga Miloti u qëllua për vdekje me armë zjarri nga Xhafer Mata 31 vjeç në zonën e Don Boskos në Tiranë, sot në orën 08.10 minta.

Paraprakisht, dyshohet për një krim pasioni. Vajza ishte e shoqëruar nga motra e saj, në momentin kur është qëlluar nga i riu, i cili më pas ka qëlluar edhe veten. Sipas policisë, Mata ndodhet në spital, por në gjendje kritike për jetën.

Kjo ngjarje duket shumë e njohur dhe duket sikur po përsëritet sot pas 6 muajsh. Bëhet fjalë për rastin e Ariela Muratit, studentes së drejtësisë e cila u vra te Fakulteti i Mjekësisë nga ish-i dashuri i saj Aldison Belulaj.

Edhe Ariela ka qenë e shoqëruar nga e motra kur është qëlluar për vdekje në trotuar nga ish-i dashuri i saj, pasi nuk pranonte ndarjen.

Fatkeqësisht, historia përsëritet sërish sot pas 6 muajsh dhe një tjetër e re sot nuk jeton më, pasi qëllohet në mes të ditës me armë zjarri nga i riu, Xhaferr Mata.

Deri tani dyshohet se Mata nuk ka pranuar ndarjen mes tyre, duke e çuar atë drejt aktit penal.