Me kërkesë të Prokurorisë, policia ka vënë në pranga Redi Popeskun pronarin e lokal “Monopol” ku në 4 tetor si pasojë e një përplasje me armë mbeti i vrarë fabian gaxha dhe u plagosën rëndë Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Burimet kanë bërë të ditur se mbi të rëndojnë akuzat e fshehjes së provave mbi ngjarjen e katër tetorit. Dyshohet se Popesku ka fshehur armën e një prej personave të përfshirë në konflikt, Ervis Martinajt, si dhe nuk ka treguar të vërtetën mbi rrjedhën e ngjarjes.

Më herët në dëshminë para përfaqësuesve të akuzës, ai ka deklaruar se konflikti ka nisur befasisht, pasi më parë, Ervin Mata tashmë në kërkim, kishte kërkuar një takim me Ervis Martinajn.

Më pas në lokal ka mbërritur dhe Gaxha kur ka nisur dhe debati fillimisht me përplasje fizike e më pas me armë. Sipas Popeskut, gjithçka ka qenë për arsye banale.

Për ngjarjen, prokuroria ka nisur hetimin në dy pista; ajo e lindjes së konfliktit pasi Gaxha kishte ngacmuar këngëtaren Elvana Gjata. Por nuk është përjashtuar as pista e konflikteve për trafiqe të paligjshme.

Për ngjarjen është kërkuar dhe marrja në pyetje e këngëtares Gjata, e cila prej datës 4 tetor është larguar nga vendi. Autor i vrasjes dyshohet se është ish-komandoja Mevjol Bilo si dhe Ervin Mata e Fabjol Alushi.