Zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar të vrasjes në Shkodër. I penduar dhe i rënduar psikologjikisht është shfaqur autori i dyshuar Stjuart Smakaj që vrau aksidentalisht shokun e tij të ngushtë Gledis Kraja. Smakaj pasi u vetëdorëzua një ditë më parë ka pranuar krimin e kryer ku humbi jetën shoku i tij i ngushtë.

Smakaj ka deklaruar në polici se gjatë sherrit shtetasi Denis Halili është larguar në drejtim të makinës së dezinfektimit dhe në atë moment i ka lindur dyshimi se mund të marrë ndonjë armë dhe në këtë moment është ngjitur me shpejtësi në katin e dytë në pallatin ku banonte dhe ka marrë armën me idenë për të qëlluar shtetasin Denis Halili por nuk e ka ditur se pas makinës ka qenë edhe shoku i tij.

“Kam qëlluar në drejtim të makinës ku ishte Denisi por nuk e dija se aty kishte shkuar edhe shoku im dhe e kam vrarë gabimisht”, deklaroi autori i dyshuar për policinë. Smakaj ka sqaruar edhe pjesën tjetër të ngjarjes që sherri ka nisur për parkimin e kamionit të mobiljeve të cilat i kishte porositur bashkë me të vëllanë dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin me kompaninë e mobiljeve.

Ndërsa shtetasi Denis Halili ka deklaruar se kur ka ikur në drejtim të makinës atë e ka ndjekur nga pas shtetasi Gledis Kraja që të mos futej brenda në mjet. Në atë moment kur të dy ndodheshin tek makina kanë dëgjuar krismat e armës. “Kam ikur me shpejtësi, jam shtrirë dhe më pas kam ikur me vrap për t’i shpëtuar plumbave”, ka deklaruar shtetasi Denis Halili i cili ka thën se duke ikur kam shikuar se Gledis Kraja ishte plagosur dhe ra në tokë.

Në këtë ngjarje ishin përfshirë në njërën anë vëllezërit Smakaj, shoku i ngushtë Gledis që humbi jetën, babai i tyre dhe disa persona të tjerë ndërsa në anën tjetër pronari i mobilerisë nga Fushë Kruja, kunati i pronarit dhe shtetasi Denis Halili bashkë me shoferin e kamionit të mobilerisë.

Debati mes tyre ka nisur për çështjen e parkimit të kamionit që kishte sjellë mobiljet tek vëllezërit Smakaj dhe më pas janë konfrontuar fizikisht duke përfunduar me të shtëna armësh ku humbi jetën Gledis Kraja ndërsa autori i dyshuar Stjuart Smakaj u vetëdorëzua pas negociatave të policisë me familjarët. Ndërkohë vijon të jetë në kërkim vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi Sebastian Smakaj.