Disa detaje të reja kanë dalë nga vrasja e një ditë më parë në Shkodër e shtetasit Gj. Boriçi i njohur edhe si Gj. Ndoj apo Gj. Frroku. 38 vjeçari mësohet nga burime policore se është qëlluar me dy plumba në kokë dhe një në shpatull duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Një tjetër detaj i ri është se vrasja e Gj. Boriçit mudn të lidhet me aktivitetin e tij të mëparshëm.

Kjo është njëra prej pistave sepse po hetohet edhe për gjakmarrje duke qenë se xhaxhai i viktimës 15 vite më parë ka vrarë një djalë të moshës së re në zonën e Bushatit. Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë Gj. Boriçit dhe pasi e kanë ulur nga makina kanë qëlluar ndaj tij pa ndërruar asnjë fjalë duke shtënë dy plumba në kokë dhe një në shpatull. Policia dyshon se autorët janë njohës të mirë të zonës ku ndodhi vrasja edhe pse nuk ka arritur ende në identifikimin e tyre.

Ajo që mbetet mister është se nga kanë ikur autorët pasi kanë patur tre mundësi, një në drejtim të Torovicës në Lezhë, e dyta një rrugë që të nxjerr tek ura e Gjo Lulit në Velipojë ose në këmbë përmes një mali në zonën e Velipojës. Hetimi për këtë vrasje të rëndë po kryhet në total në 5 drejtori të policive vendore ku mendohet se mund të kenë lëvizur dhe vepruar autorët.

Ndërkohë mësohet se policia e Shkodrës ka sekuestruar një numër të madh të kamerave të sigurisë në rrugën nacionale Shkodër-Tiranë, në zonën e Bushatit ku janë drejtuar autorët pas vrasjes, në zonën e Velipojës, në Lezhë dhe vende të tjera ku ka dyshime se mund të kenë lëvizur. Gj. Boriçi u gjet i vdekur me dy plumba në kokë dhe një në shpatull mëngjesin e djeshëm në rrugën nacionale Shkodër-Tiranë në afërsi të një aksi që të çon në fshatin Shkjezë të bashkisë Vau Dejës.

Autorët dyshohet se në total, ekzekutori dhe bashkëpunëtorët mendohet se janë më shumë se 3 persona që kanë marrë pjesë në këtë vrasje që qartazi policia e ka cilësuar të një stili mafioz sepse deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë.

Pas vrasjes autorët dogjën makinën me të cilën dyshohet se kanë kryer vrasjen në kufirin mes Vau Dejësit dhe Lezhës pas Malit të Jushit dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Policia po heton intensivisht për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje.

Artikulli paraprakPËRHAPET SALMONELA PËRMES QEPËVE NË 43 SHTETE, SËMUREN QINDRA NJERËZ
Artikulli tjetërSHKARKOHET GJYQTARI I APELIT TË SHKODRËS ALEKS NIKOLLI