Një vrasje e trefishtë me armë zjarri ka ndodhur pak çaste më parë në zonën e Unazës së Re në rrugën Kristaq Mone.

Gjatë një konflikti, dhëndri ka vrarë vjehrrin, vjehrrën dhe më pas veten. Në momentin e mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, ka gjetur autorin me armën e krimit në dorë.

Ende nuk dihen detaje lidhur me krimin e ndodhur apo mbi identitetin e viktimave dhe autorit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për të zbardhur situatën.

Ky është rasti i tretë i krimit në familje për këtë muaj. Një rast ka ndodhur në një familje shqiptare në Korfuz, ku një shqiptar emigrant në Greqi ka vrarë vajzën e tij duke e goditur me shufër hekuri në kokë dhe më pas e ka varrosur në oborrin e shtëpisë, pasi ishte kundër lidhjes së saj me një afgan.

Në ditën e dytë të vitit Gazment Musta vrau me thikën e bukës gruan Gentiana Caushaj 31-vjeçe, dhe motrën e saj Merisa Caushaj 18-vjeçe pasi kërkoi që të shkonte tek prindërit e saj për festat.

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë

Informacion paraprak

Sot rreth orës 06:56, në Astir, në rrugën “Kristaq Mone” janë gjetur në banesë të vrarë me armë zjarri shtetasit B. M., 63 vjeç dhe Xh. M., 52 vjeçe.

Poshtë ballkonit të banesës së shtetasve B. M., dhe Xh. M., është gjetur i dëmtuar dhëndëri i tyre, shtetasi M. L., i cili është transportuar për ndihmë mjekësore në spital ku dhe ka ndërruar jetë.

Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.