Gjashtë vrasjet e ndodhura në Shkodër dhe dy personat që vazhdojnë të jenë të zhdukur kanë vënë në lëvizje prokuroinë e Shkodrës.

Përmes një njoftimi për shtyp organi i akuzës bën të ditur se ka vijuar hetimet intensive për identifikimin e autorëve të krimeve të rënda që kanë ndodhur në qytetin e Shkodres në muajt e fundit.

Prokuroria vijon më tej duke thënë se çmon bashkëpunimin në nivel të lartë me Policinë e Shtetit për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për lejimin e kontrollit të banesave dhe vendeve të tjera,

kjo gjatë aksionit të një dite më parë në disa prej lagjeve të Shkodrës ku u arrestuan katër shtetas dhe u sekuestruan armë, 6 mjete të blinduara, shuma parash dhe sende të tjera.

Prokuroria e Shkodrës bën të ditur se mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm të deduktuar nga provat e administruara deri në këtë moment procedural

i është paraqitur gjykatës kërkesa për të lejuar kontrollin e banesave dhe vendeve të tjera, në të cilat mund të gjendeshin prova me rëndësi për hetimin.

Ky vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Gjatë kontrollit janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar disa prova materiale, mbajtja e të cilave përbën vepër penale, për kryerjen e të cilave janë arrestuar 4 shtetas.

Në fund prokurori i Shkodrës Ylli Pjetër Nikaj siguron se duke pasur njëkohësisht mbështetjen e fortë të Prokurorisë së Përgjithshme, rithekson vullnetin e palëkundur për të përmbushur detyrat në përputhshmëri me ligjin për goditjen e krimit.

Brenda 3 muajsh në Shkodër 6 persona mbetën të vrarë ndërsa dy të tjerë janë të zhdukur që nga mbrëmja e 23 gushtit, ngjarje të cilat tashmë kanë vënë në lëvizje prokurorinë e Shkodrës dhe policinë e shtetit për zbardhjen e tyre.