Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dërguar për kopetencë në gjykatën e krimeve të rënda çështjen e vrasjes të Mirsad Kuçit i cili u vra nga xhaxhai i tij Bujar Kuçi.

Ngjarja ndodhi në Shkodër me 23 shtator të 2017-ës në një rrugicë pas teatrit “Migjeni”. Pas asaj ngjarje gjykata la në “arrest me burg” autorin e dyshuar Bujar Kuçi. Gjatë seancës paraprake përpara dërgimit të çështjes në gjyq u përballën babai i viktimës Faik Kuçi me vëllanë e tij Bujar Kuçi.

Sapo ka nisur seanca babai i viktimës doli nga salla e gjyqit duke mos arritur ta përballojë. Ai tha përpara trupit gjykues fjalët: Ju bëni çfarë të doni mua më ka ikur djali dhe më ka lënë dy jetima. Pas kësaj fjalie Faik Kuçi ka tentuar të shkojë drejt xhamit ku ndodhej vëllai i tij i dyshuar për vrasjen e Mirsad Kuçit.

Në ato momente babai i viktimës ka dalë jashtë sallës duke mos e përballuar më emocionalisht për shkak se vuan edhe nga zemra. Nga ana tjetër autori i dyshuar Bujar Kuçi ka pranuar krimin e kryer nga ana e tij por është shprehur përpara gjykatës se e ka vrarë nipin e tij për shkak se ai ka qenë në gjendje të dehur dhe ka tentuar që ta vrasë.

Bujar Kuçi deklaroi se e ka qëlluar me thikë nipin e tij për t’u vetëmbrojtur nga ai. Në fund gjykata e shkallës së parë në Shkodër e dërgoi për kopetencë tek krimet e rënda këtë çështje. Bujar Kuçi edhe më përpara sipas burimeve ka tentuar që ta vrasë nipin e tij Mirsad Kuçi për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre për oborrin dhe çështje të tjera duke qenë se shtëpitë i kishin ngjitur.

Mesditën e 23 shtatorit të vitit të kaluar pas një debati mes tyre xhaxhai Bujar Kuçi qëlloi me thikë nipin e tij 33 vjeçar duke e lënë të vdekur në vend. Mirsad Kuçi ishte baba i dy fëmijëve.