Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në mbrëmje, rreth orës 23 e 15 minuta në qytetin e Durrësit.

Një person mbeti i vdekur në vend gjatë një atentati, ndërsa një tjetër u plagos. Policia që konfirmon lajmin thotë se të dy personat kanë qenë në një automjet tip Audi kur janë qëlluar me breshëri.

Të dy shënjestrat e atentatit janë nga Vlora. Viktima Edison Harizaj (39 vjeç) dhe i plagosuri Genci Caca (33 vjeç). Harizaj, i cili mbeti i vrarë në këtë atentat, më parë është hetuar edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje në bandën e Emiljano Shullazit.

Gjithashtu, viktima është përfolur dhe marrë në pyetje edhe për vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Ai njihej si person me precedentë të theksuar kriminalë dhe i dyshuar si autor për disa krime të rënda kundër personit, por asnjëherë nuk kishte marrë dënim.

Policia ka gjetur edhe automjetin e vrasësve që është djegur prej tyre pak kilometra nga zona e Plazhit, ku edhe ka ndodhur vrasja.