Shqipëria kërkon bashkëpunimin e shefave të 12 vendeve Evropës juglindore në betejën me krimin e organizuar. Ministri, Fatmir Xhafaj, ka theksuar se emigracioni ka rritur edhe më shumë rrezikun në BE.

Lëvizjet migratore kanë sjellë rritjen e aktivitetit të krimit të organizuar dhe të trafiqeve të qenieve njerëzore në të gjithë Evropën.

Për këtë qëllim ministri Fatmir Xhafaj ka kërkuar në Konventen e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore, bashkëpunimin e shefave të policisë kriminale të 12 vendeve anëtare për të luftuar krimin e organizuar e cila ka shënuar rritje në rajon.

Xhafaj: Krimet e rënda, krimi i organizuar, terrorizmi dhe flukset migratore përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme.

Gjithashtu ai nuk la pa përmendur edhe faktin që lufta ndaj krimit të organizuar e ka kthyer policinë e shtetit në një tabelë akuzash dhe përbaltjesh.

Xhafaj: Për fat të keq, natyra delikate e këtyre sfidave dhe interesat që preken nga forca reaguese e Policisë ndaj tyre, shkaktojnë shpesh herë sulme frontale ndaj Policisë, akuza, përbaltje dhe goditje të llojeve të ndryshme jo rrallë edhe nën influencën e vetë grupeve kriminale, ndaj ekipeve drejtuese dhe operacionale qe veprojnë në fushën e rendit dhe sigurisë.

Xhafaj u shpreh se do të ketë një fond shtesë për seksionin e policisë kriminale.

Ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kërkoi bashkëpunimin e shteteve të rajonit për të luftuar krimin e organizuar,

Veliu: Ne përfaqësuesit e policive të rajonit dhe më gjerë ndajmë të njëjtin mendim se krimi nuk njeh kufinj dhe suksesi ndaj tij është një luftë e përbashkët e të gjithëve ne.

Takimi me shefat e policisë kriminale të 12 shteteve anëtare në Evropën Juglindore paraprin takimin e Ministerialit të Ministrave të Brendshëm në rajon që do të mbahet në Tiranë ditën e enjte.