Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u ka dërguar një paralajmërim të fortë të gjitha grupeve kriminale. Nga Elbasani ku u zhvillua aktiviteti ‘Forumi Qytetar për Sigurinë Publike’ ministri u shpreh se në këtë qytet veprojnë 2-3 grupe kriminale.

Ai theksoi se ata janë identifikuar, ndërsa tashmë po punohet për dokumentimin dhe për t’i vendosur para drejtësisë me cdo lloj sakrifice. Ministri ishte i drejtpërdrejtë, kur u shpreh se Policia e Shtetit do ua nxijë jetën kriminelëve në Elbasan, por edhe në të gjithë vendin pas skedimit të plotë të grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri.

Është e vërtetë që pak muaj më parë kam qenë i pranishëm në një takim të këshillit të sigurisë në Elbasan, pjesë e një projekti të rëndësishëm, policimit në komunitet. Ishte pjesëmarrja në këtë event, ajo që pashë, që u bë pikënisje për ta zhvilluar këtë koncept dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re të policisë me qytetarët.

Forumi nuk është institucion, por pikënisja për të realizuar këtë filozofi mes policisë, organeve të qeverisjes vendore dhe grupeve të tjera për të pasur më shumë rend, qetësi dhe siguri.

Policia është para disa sfidave që kanë të bëjnë me rendin. Në zbatim të disa prioriteteve është e angazhuar në disa sfida me rëndësi, luftën kundër krimit dhe parandalimin e terrorizimit. Angazhim për t’u përballur me krimin e organizuar. Plan masash konkrete për të goditur grupet kriminale.

Dua të them që ‘Forca e Ligjit’ është operacion i suksesshëm, kemi skeduar të gjitha grupet kriminale brenda apo jashtë vendit. Kemi evidentuar dhe në bashkëpunim prokurorinë kemi goditur një pjesë të rëndësishme, por jemi ende në fillim.

Deri tani kemi goditur 7 grupe kriminale me 100 persona të arrestuar, drejtues apo anëtarë. Do i vendosim grupet kriminale para ligjit, por edhe asetet kriminale të tyre. Shqetësime të kësaj natyre ka edhe në Elbasan, kemi 2-3 grupe kriminale, i njohim shumë mirë, po punojmë për të dokumentuar dhe ti vendosim shumë shpejt para përgjegjësisë penale.

Shteti është më i fortë se cdo lloj krimineli. Policia do u nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë, të ndëshkohet në formën më të ashpër. Do i shkojmë deri në fund me cdo lloj sakrifice.

Ministri pranoi gjatë fjalës së tij se edhe në radhët e policisë së shteti ka policë që nuk e meritojnë që të shërbejnë, por Vettingu që po bëhet do i largojë nga sistemi. Por, Xhafaj shtoi se ka më shumë politikanë me probleme që bëjnë dëm më të madh.

Nuk mund të jetë e imunizuar policia nga problematikat. Ka më shumë politikanë me probleme që bëjnë dëm më të madh, por ka edhe policë të cilët nuk i përgjigjen standardit ligjor dhe etik për të qenë në këtë funksion shërbimi.

Kjo është arsyeja që ndërmorëm vettingun në polici, si për prokurorët dhe gjyqtarët, që është duke dhënë frytet e para. Ne kemi marrë një drejtor policie, një nga drejtuesit më me eksperiencë e kemi sakrifikuar dhe e kemi sjellë këtu edhe si reflektim i asaj tronditje që u krijua këtë para disa muajsh, por edhe se këtë projekt ta zhvillojmë më parë këtu në Elbasan.

Elbasani është një nga qytetet që vitin e kaluar është tronditur nga përplasjet me dy fiseve Çapaj dhe Çelaj, ndërsa po në shtator të 2017 u godit makina e zv/ drejtorit të policisë së Elbasanit duke sjellë një furtunë në Drejtorinë e Policisë.