Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj gjatë vizitës së tij në SHBA është takuar më Zëvendësdrejtorin i FBI-së David L. Bowdich.

Në njoftimin e ministrisë së Brendshme njoftohet se “në këtë takim, u parashtrua kërkesa e Ministrit të Brendshëm për shqyrtimin e mundësisë për dërgimin në Shqipëri të një agjenti me kohë të plotë nga FBI-ja, për të asistuar strukturat e hetimit në Polici.

Përvoja, sidomos në drejtim të hetimit të pastrimit të parave dhe motivimi i oficerëve shqiptarë do të ishin një kontribut i paçmuar”.

Lidhur me kërkesën e paraqitur nga ministri Xhafaj, zëvendësdrejtori i FBI-së u shpreh se e sheh kërkesën pozitivisht dhe do ta diskutojë për të vlerësuar mundësitë konkrete të realizimit të saj.

Në përgjigje të interesit të z.Bowdich u diskutua mbi fenomenin e korrupsionit në shoqërinë shqiptare, reagimin e publikut ndaj rasteve të korrupsionit dhe sidomos ndaj korrupsionit në nivele të larta,

duke nënvizuar rëndësinë e veçantë të goditjes së fenomenit të pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta dhe të mesme.

Në përfundim, ministri i Brendshëm e ftoi Bowdich të vizitonte Tiranën, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.