Të valëvisësh flamurin mund të jetë një çështje e vështirë, si thikë me dy presa në Kosovë.

Flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare i Shqipërisë shfaqet kudo në kryeqytetin kosovar, Prishtinë. Ndërkohë në Mitrovicë, në pjesën veriore të urës së famshme mbi lumin Ibër, që ndan dy pjesët e qytetit, ai serb valëvitet në mënyrë sfiduese. Por, 8 vite pas deklaratës së njëanshme të Pavarësisë nga Serbia, flamuri zyrtar i Republikës së Kosovës mbetet për pjesën dërrmuese të popullsisë një zgjedhje e dytë. Dizajni i pakëndshëm nuk ngjall aq shumë devotshmëri krahasuar me atë me ngjyrat kuqezi. Duket si një zgjedhje diplomatike, përzgjedhja e një ngjyre blu (pasi e kuqja e shqiptarëve ishte jashtë çdo diskutimi), me një vijëzim grafik të kufijve të shtetit (si shenjë paralajmëruese kundër çdo ndryshimi të së ardhmes), si dhe 6 yjet, që simbolizojnë grupet kryesore etnike të Kosovës. Megjithatë, në Rio de Janeiro ky flamur do të valëvitet për herë të parë në Lojërat Olimpike. Madje do të mbahet nga një atlete që mbetet pretendentja kryesore për medaljen e arit në sportin ku ajo garon. Majlinda Kelmendi është kampione e dyfishtë botërore në sportin e Xhudos, e vlerësuar madje edhe si më e mira e çdo lloj kategorie në vitin 2014, ndërkohë që ka ribërë të sajin titullin e kampiones së Europës, pasi dëmtimet e penguan atë të garonte përgjatë pjesës më të madhe të vitit 2015. “Ishte një vit i vështirë, por u riktheva fuqishëm”, thotë ajo pas një seance stërvitore në sallën e Xhudos që ndodhet në pyjet e Pejës, vendlindjes së saj. Kjo nuk do të jetë hera e parë që Majlinda merr pjesë në një Olimpiadë. Në Londër, ajo përfaqësonte ngjyrat e Shqipërisë, por nuk arriti të siguronte një vend mes medalisteve, duke e lënë atë me ndjenja të përziera se cilin flamur duhej të mbante në Brazi, sërish atë të Shqipërisë apo të Kosovës. “Dua të përfaqësoj Kosovën si një shtet i ri, në mënyrë që ta promovoj atë. Por nuk kam shumë dëshirë të flas për këtë, thjesht dua të fokusohem në stërvitje dhe në sportin tim. Në Londër isha mjaftueshëm e përgatitur dhe e fortë, por u përfshiva thellësisht nga mendimet se çfarë do të thoshin njerëzit nëse fitoja apo humbisja. Më pas, kur Rio të mbarojë, mund të flasim sesi u ndieva si flamurmbajtëse e delegacionit të vendit tim”. Pavarësisht vendosmërisë së Majlindës për t’i vënë kapakun ndjenjave të saj, ky është një moment tepër i rëndësishëm për Kosovën. Pavarësia e këtij vendi mbetet ende e panjohur nga më shumë se 80 vende të Kombeve të Bashkuara, përfshi këtu Kinën, Indinë, Rusinë, e madje edhe të vet vendit organizator të Olimpiadës së këtij viti. Pjesëmarrja në Rio u bë e mundur vetëm sepse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e pranoi Kosovën si vend anëtar në fund të vitit 2014. Ai vendim inkurajoi edhe organizata të tjera qeverisëse të sporteve të ndryshme për të ndjekur të njëjtin hap, siç bënë së fundi edhe UEFA dhe FIFA me njohjen e Federatës së Futbollit të Kosovës. Megjithatë, udhëheqësit politikë të Kosovës duken të prirur të pranojnë rolin e luajtur nga kampionja e botës në Xhudo, nga Peja. “Majlinda është një ambasadore shumë herë më e mirë sesa unë, madje edhe sesa të gjithë diplomatët e tjerë të mbledhur së bashku”, tha zv.ministri i Jashtëm Petrit Selimi. “Në Kosovë kemi sportistë shumë të mirë, e veçanërisht femra sportiste. Izolimi i tyre do të ishte i padrejtë dhe i rrezikshëm. Zemrat dhe mendjet e hapura nuk kanë lindur në shtetet e izoluara. Ndaj, ne do t’i përdorim rezultatet e arritura në fushat sportive për t’u siguruar se, nëse ia arritëm të dërgojmë flamurin tonë në Lojërat Olimpike, atëherë mund ta bëjmë këtë gjë edhe në fusha të tjera”. Sporti luan një rol kyç në fushatën kosovare për të siguruar më shumë njohje të Pavarësisë së saj. “Do të shfrytëzojmë anëtarësimin tonë në UEFA dhe FIFA për të zgjeruar portofolin e argumenteve tona gjatë lobimit”, tha më tej Selimi. Në Rio do të jetë pikërisht Majlinda Kelmendi ajo që do të përfaqësojë Kosovën – jo e vetme gjithsesi, – por ajo që me siguri e ka forcën e duhur për t’i sjellë kënaqësi dhe krenari të jashtëzakonshme bashkëkombasve të saj. “Nëse atletët nga Kosova do të jenë të suksesshëm në këtë Olimpiadë, kjo do ta ndihmonte jashtëzakonisht shumë vendin tonë”, thotë xhudistja. Megjithatë, ajo nis ta ngushtojë fokusin e saj, ekzaktësisht në mënyrën sesi veprojnë kampionët e vërtetë. “Nëse fitoj apo humbas, kjo është përgjegjësia ime. Do të jem përgjegjëse vetëm përpara trajnerit tim, ndaj dhe nuk duhet të mendoj se çfarë do të thonë kryeministri apo presidenti i vendit tim”.