Sa herë që vjen në Shkodër Ymer Bala është aktori që përmallohet. Drama “Çështja e Blertës” apo “Gjaku i Arbrit” janë vetëm disa prej pjesëve në të cilat korri një sukses në skenë.

Kësaj here Ymer Bala ka ardhur nga Amerika me një mision të veçantë. E gjithë jeta e tij artistike por edhe jashtë skenës do vijë e përmbledhur në një libër i cili botohet këto ditë.

Aktori Bala i cili shenjoi në historinë e artit shqiptar me rolet e tij tregon mesazhin që kërkon të përcjellë përmes librit.

Largimi nga Shqipëria drejt Amerikës për një jetë më të mirë e ka munduar gjatë gjithë kohës aktorin shkodran.

Braktisja e Shqipërisë në vitin 1997 është pengu më i madh i Ymer Balës. Ai ishte i detyruar të ndërmerrte këtë veprim për t’i mundësuar dy djemve të tij një jetë më të mirë larg trazirave që përfshinë vendin në atë kohë.

Ymer Bala e nisi karrierën e tij në teatrin “Migjeni” në vitin 1968 duke u kthyer shumë shpejt në një prej aktorëve të dashur për spektatorët me rolet e tij në shumë pjesë të ndryshme të cilat kanë një peshë artistike të rëndësishme edhe sot.

Para 4 vitesh u rikthye për herë të parë në skenë përmes një ndërhyrje tek drama “Gjaku i Arbrit” e rikthyer për 65 vjetorin e krijimit të teatrit të Shkodrës.