Kur natyra dhe muzika bëhen bashkë në zemër të tyre, alpet shqiptare jehojnë. Fshati turistik i Thethit në Dukagjin të Shkodrës ka pritur për të dytin vit me radhë aktivitetin kulturor Za Fest. Një koncert i ndërthurur me artin letrat që çojnë një tjetër lloj muzike në majat e bjeshkëve në mes të mistikës dhe historive të pafundme me legjenda të burrave dhe grave të asaj zone.

 

Pas edicionit të parë në 2017-ën tashmë është drejt fundit edicioni i dytë i Za Fest. Edhe këtë vit kantautori Vlashent Sata nuk ka munguar të sjellë qetësisht notë pas note muzikën e tij bashkë me artistët Endri Hasa, Maria Mazzota, Linda Rukaj dhe interpretimet e të mirënjohurës Ema Andrea. Muzika dhe arti letrar nuk janë të vetmet që të çojnë në botën e meditimit në Za Fest në mes të bjeshkëve të Dukagjinit.

 

Festivali ka nisur me Yoga nga instruktorët Rachel Berryman dhe Roëie Geraerts. E gjitha ngjan si një ëndërr që nuk ndalet për tre ditë me radhë duke qenë se Za Fest nisi me 20 korrik për t’u përmbyllur në ditën e tretë me 22 korrik. Skenografia, dekori, frymëzimi i artistitëve bashkë me energjinë e të pranishmëve dhe mistikën e alpeve pa harruar produktet bio na japim të kuptojmë nën hijen e maleve të larta që duket sikur nuk kanë mbarim vetëm përmes muzikës se kush jemi.

 

Një ndalesë ndryshe nga rutina e përditshme shpesh herë e mërzitshme për pjesën më të madhe të njerëzve. Za Fest ka shërbyer për të rikthyer në vëmendje tregimet dhe gojëdhënat që i japin një tjetër jetë historive të Thethit por edhe krejt alpeve shqiptare. Tre ditë që duken si një çast magjie që i përfshin të gjithë në një jetë krejt tjetër larg botës së egër që na rrethon ne në pjesën më të madhe të kohës. Në njërën anë legjendat e në anën tjetër muzika mes hapësirës së pafundme të maleve qëndrojnë sëbashku duke tentuar të japin një mesazh të fortë tek gjithsecili.

 

Za Fest nuk mbetet vetëm një festival apo skenë interpretimi poezish e prozash, as jehonë e maleve në alpe por një dëshirë për të na zgjuar në përhumbjen dhe distancën që kemi krijuar me natyrën dhe artin e vërtetë. Është e pashmangshme atje pyetja që çdo kush i shtron vetes: ku po shkojmë?

 

A duhet të ndërgjegjësohemi për të ruajtur mjedisin, për të kultivuar vlerat reale artistike apo për të qenë më social e të brishtë të barazlarguar nga fortësia e kthetrave që na kanë mbërthyer ndoshta edhe pa e kuptuar. Za Fest ia doli edhe kësaj here!

Artikulli paraprakRAPORTI I DIA-s, BANDAT SHQIPTARE MË TË RREZIKSHMET
Artikulli tjetërA I DUHET VLLAZNISË NJË TRAJNER ME KOSTO SI HASAN LIKA?!