Gjithçka është gati për mbledhjen e 20 gushtit nga ku do të bëhet konstituimi i këshillit të ri bashkiak të Shkodrës dhe kryetares që fitojë betejën e 21 qershorit Voltana Ademi. Stafi i Bashkisë Shkodër këto ditë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe tashmë pret vetëm zhvillimin e mbledhjes.

Ende pa u zhvilluar kjo mbledhje, dy koalicionet e mëdha, të majtët dhe të djathtët kanë përcaktuar se cilët do të jenë kandidatët për kryetarin e ri të këshillit bashkiak. Nga sa bëhet e ditur partia demokratike dhe njëkohësisht edhe koalicioni i djathtë do të kandidojnë Xhemal Bushatin. Pjesë edhe në këshillin e vjetër e po ashtu prej shumë kohësh një prej figurave autoritet të demokratëve në Shkodër, Bushati për herë të parë në karrierën politike do të tentojë të ketë një post të lartë drejtues. Natyrisht që vendimi brenda demokratëve është politik dhe është gjetur rruga e konsensusit. Nga ana tjetër koalicioni i majtë edhe pse kryesohet nga LSI me 10 anëtar në këshillin bashkiak, kandidati për kryetar në këshillin bashkiak do të jetë nga radhët e socialistëve që kanë 9 anëtar. Koalicioni i majtë me shumë gjasa do të kandidojë Luan Hetën, një figurë e njohur politike dhe që më parë ka provuar disa poste drejtuese. Mesa duket LSI i ka hapur krah PS edhe pse ka një anëtar më shumë. Bushati dhe Heta mbase nuk do të jenë të vetmit përballë njëri-tjetrit sepse si përfaqësues i partive të vogla mund të kandidojë Fatlum Nurja. Të tre janë emra të njohur. Sa i përket numrit të votave, shumicën e ka e djathta. Sidoqoftë këto ditë po flitet shumë për trafik të anëtarëve të këshillit që mund të devijojnë nga vija e koalicioneve. Përflitet për blerje këshilltarësh dhe premtime postesh në të ardhmen. Mbase nuk duhet harruar se Luan Heta kur u zgjodh anëtar i bordit të Vllaznisë, votat për të erdhën unanimisht për të nga e djathta sepse të majtët thuajse kishin braktisur mbledhjen. Surprizat dhe gjithçka tjetër i mbeten mbledhjes së 20 gushtit.

PUBLICITET