Grupi hetimor ka rënë në gjurmët e vrasësve të ish-policit Arben Bilali. Burime pohojnë që te armët që autorët kanë lënë në makinë janë gjetur gjurmë ADN-je dhe të gishtave.

Pas vrasjes në Tiranë autorët u larguan me shpejtësi duke tentuar që të djegin makinën me provat në Mjull të Bathores, por pavarësisht se e spërkatën me benzinë nuk arritën që ta digjnin, pasi policia arriti me shpejtësi.

50-vjeçari u ekzekutua me armë zjarri pranë shtëpisë në datë 30 janar. Ai sapo zbriti nga një automjet tip “Volkswagen Golf” me targa të huaja dhe po ecte në drejtim të trotuarit,

pranë banesës së tij, kur pas tij u afrua një automjet tip “Mercedes Benz S” i zi dhe me targa të falsifikuara dhe e qëlloi me breshëri 14 herë.

Autorët dyshohet se e kanë njohur mirë zonën dhe se janë vrasës me pagesë. Për grupin hetimor vrasja e Bilalit ka lidhje me ngjarjet tronditëse në Tiranën e viteve ’90, ku janë shënuar disa atentate të përgjakshme mes disa familjeve.

Vetë familja Bilali ka qenë në konflikt me atë Xhabafti, duke prodhuar disa viktima. Arben Bilalit i kishin vrarë edhe dy vëllezër, njërin në vitin 1997 dhe tjetrin në vitin 2010, vetëm disa muaj pasi vetë ai i kishte shpëtuar një atentati po në zonën e Selitës.