Zbulohet pas 100 vjetësh letra që 9 studentë shqiptarë të Universiteteve të Vjenës i dërguan presidentit Woodrow Wilson për të ndihmuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes.

Letra e gjetur në Arkivin Qendor të Shtetit është bërë publike mbrëmë në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, mban datën 15 dhjetor 2018 dhe ka qenë e panjohur deri më sot për studiuesit dhe publikun.

Të shkruar 4 faqe në shqip dhe në anglisht, studentët i luteshin Wilson që përpara mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris të ndihmonin Shqipërinë e cila e kishte humbur pavarësinë.

Pasi bënin një rezyme të historisë së Shqipërisë, vuajtjeve, padrejtësive, copëtimit që kishin bërë fuqitë e mëdha, përndjekjes së popullsisë, studentët i shpreheshin Wilson se ai mbetej i vemti shpëtim.

Studentët që shkruan letrën dhe që në të i kërkonin Wilson ti kushtonte vetëm 15 minuta nga koha e çmuar ishin: Remzi Baçe, Jani Basho, H. Hifzi, Nush Bushati, Xhevat Korça, Luigj Kakarriqi, Gjovalin Gjadri, Raku Buda, Fuad Asllani.

Ishte momenti që Shqipëria kishte dalë nga Lufta e Parë Botërore pa shtet dhe Italia, Greqia, Jugosllavia e kishin ndarë sërish mes tyre dhe praktikisht Shqipëria pothuajse nuk ekzistonte.

Ndërkohë Austro-Hungaria që e kishte mbështetur ngritjen e shtetit shqiptar kishte dalë e humbur nga lufta dhe u shpërbë.

Në këto rrethana, në Konferencën e Paqes ishte e sigurtë që Shqiëpria nuk do ekzistonte më.

Pikërisht në këtë moment kritik të ekzistencës së Shqipërisë, 9 studentë u bërë shpëtimtarë të tij.

Ishin pikërisht ata që bënë që Wilson të inicohej dhe të ndihmonte realisht shtetin e brishtë shqiptar.

Natyrisht që më vonë kanë një kontribut mjaft të rëndëishëm delegacioni shqiptar dhe sidomos shqptarët e Amerikës nën drejtimin e Fan Nolit, por kjo letër shërbeu si indicie për kthesën e madhe.

Pas marrjes së letrës, presidenti Wilson dërgoi në Vjenë ambasadorin Calvin Coolidge (më vonë President i SHBA) për t’u takuar me studentët shqiptarë.

Coolidge i priti këta studentë në një kështjellë në periferi të Vjenës (1919) dhe u deklaroi atyre që zëri i Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes do të ishte në përkrahje të vendit të tyre.

Në vitin 1920, po këta studentë i dërguan një notë Konferencës së Paqes në Paris, pikërisht për këto arsye.

Nga ana tjetër, për të parë gjendjen në vend, ai dërgoi në Shqipëri konsullin e SHBA në Torino, zotin Jozef Haven (1919), i cili vizitoi Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme duke u shoqëruar nga patrioti Tefik Mborja.

Raporti që ai i dërgoi Presidentit Wilson ishte tërësisht pro Shqipërisë.

Një nga pasazhet më interesante të letrës së studentëve dërguar Wilson ishte kur ata i drejtoheshin atij e fjalët: “Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj”.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të studentëve shqiptarë drejtuar Presidentit amerikan

Z. Woodrow WILSON

President i Shteteve të Bashkuara

Palais Murat, Paris – Francë

Fort i ndershmi Zotëri!

Ne, të nënshkruarit studentët shqiptarë të Universitetit të Vjenës, Austri, marrim lirinë të paraqesim veten tonë me këtë letër për të na dëgjuar më shpirtmadhi njerëzor dhe i drejtë i Zotërisë suaj.

Sot, kur fati i botës varet kaq shumë prej Jush, kur çdo e vetme minutë e Zotërisë suaj do të jetë e zënë me çështjet e nesërme, shumë natyrisht do të duket si një guxim i pafalshëm që nga ana e një grushti studentësh të një kombi jo shumë të dëgjuar të luten për një të katërtën orë prej kohës së çmueshme të Zotërisë suaj.

Zotëri! Në këtë furtunë të ngjarjeve të papritura, në këto ditë historike kur mbretëri shekullore rrëzohen dhe kudo kombe të rinj ringjallen, kemi pritur me vëmendje të gjallë dhe me një shpresë që për ditë pakësohej, për një fjalë shpëtuese për atdheun tonë fatkeq.

Por duket se jemi krejt të harruar, sikur i përkasim historisë së vjetër. Dëshpërimi na rrëmben me gjithçka kur mendojmë mundësinë e një paqeje të padrejtë.

Pak mund të jemi, por megjithatë kemi vendosur dhe kemi bërë be të bëjmë nën çdo kusht, ç’na vjen nga dora për vendin tonë të dashur. Ai është i tëri që kemi, i tëri që duam të kemi edhe i tëri për të cilin japim jetën tonë me gëzim.

Si më i madhi idealist i shekullit do të jetë shumë e lehtë për Ju, fort i ndershëm Zotëri, të çmoni drejtësisht qëllimin e ambicies sonë; ai është ideali ynë. Edhe si mjeshtëri i mjeshtërve, tërë vërtetësia entuziaste e djalërisë kurrë s’mund të jetë e huaj për Zotërinë Tuaj që të besoni drejtësinë e qëllimit tonë.

Edhe nga këto kushte guxojmë ti drejtohemi Zotërisë Suaj përulësisht, më të dëgjuarit njeri të shekullit, i cili qëndron me idenë e tij më lart se gjithë njerëzit e tjerë në historinë e botës së qytetëruar, dhe fjala e të cilit, për fatin e mirë të njerëzimit rëndon më shumë se mendimi i gjithë botës.

Zotëri! Ju lutemi të keni durim me ne deri në fund.

Zoti President! A do të jetë pa dobi të të numërojmë dy, tri pika nga fatkeqësitë e panumëruara të këtij vendi?

A ka ndonjë komb tjetër mbi faqen e dheut të cilit i ka qenë ndaluar përdorimi i gjuhës amtare? Pesëqind vjet Shqipja ka qenë një gjuhë e ndaluar në Shqipëri, kaq e rëndë ka qenë zgjedha e tiranisë së huaj!

Pa këtë dhurim të pafajshëm të Perëndisë, pa këtë vegël të gjallë të kulturës e të përparimit të një kombi, si mund të kërkohej të kishim mbajtur një hap me botën e lirë? Megjithatë, Evropa e mendshme e priste këtë prej nesh.

Dhe një fatkeqësi e madhe e dytë e Shqipërisë është mospasja e një feje të bashkuar që të mbante zjarrin e idealit kombëtar kurdoherë të ndezur në zemrën e popullit.

Por me gjithë këto besime të ndryshme e ngatërrime të tjera, shqiptarët kanë qëndruar, kanë bërë kryengritje dhe kanë luftuar së bashku për liri si një komb me traditat e me gjuhen e vet.

Fort i ndershmi Zotëri, do përpiqemi me çdo mënyrë që të mos keqpërdorim durimin e Zotërisë Suaj me hollësira të panevojshme dhe me ca fjalë që vinë më poshtë mund të përmendim epokën historike:

Heroin kombëtar, Skënderbeun, i cili për 24 vjet ndaloi Turqit edhe luftoi burrërisht kundër invazionit të huaj që të mbrojë Evropën mosmirënjohëse me gjakun e vlefshëm shqiptar (1443); Lidhjen e Prizrenit më 1879 të cilën Ippeni aq bukur e barazon me Konfederatën e Kantoneve Schwytz,

Uri dhe Unterwalden në vitin 1307, edhe me komitetin e sigurimit popullor, i cili qeverisi Francën prej 1793 deri 1795; Kushtetutën e Turqisë fituar prej shqiptarëve për të gjithë kombet që ishin atëherë nën Turqinë (1908); kryengritjet kundër regjimit të ri turk, më despotik që mund të jetë 1909-10-11.

Zotëri! Ky kombi më i vjetër në gadishullin ballkanik ka treguar kurdoherë gjallërinë e tij dhe ka kërkuar të drejtën për një jetë kombëtare, por fqinjët tanë kanë qenë shumë më të fortë se ne, ne që përpiqeshim nër kaq mundime.

Edhe duke qënë se historia e jonë na le në kohrat e mesme në errësirrë të plotë, politikanë grekë e serbë gjetën rastin të mohojnë të drejtën e një jete politike për ne.

Këta shkuan aq larg sa të mos shohin qënien gjeografike dhe etnografike tonë; ata besuan se Europa Perëndimore dhe Amerika duhej të këndonin punërat e ngatërruara të Ballkanit vetëm sipas shkrimeve të tyre, edhe të shohin vetëm me sy grekë e serbë.

Por, për fat të mirë historishkrues të dëgjuar si Thalloczi dhe Jirecek (i dyti sadoqë një sllav vetë) duke i shërbyer shkencës, kanë rrëfyer të drejtën dhe i kanë provuar botës racionale se çka qënë Shqipëria dhe ç’rol kanë luajtur shqiptarët në historinë e përgjithshme.

Edhe nga ana tjetër politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt më Shqipërinë janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes sonë; sepse kanë parë të vërtetën edhe padrejtësinë që punohet kundër nesh. Midis tyre në radhë të parë vjen Z. George Fred Williams, ish ministri i Shteteve të

Bashkuara në Athinë, i cili dha dorëheqjen më 1913 për të protestuar kundër përdorimit të keq të Shqipërisë prej fuqive të mëdha të Europës. E drejta do të fitojë, por ne shikojmë për hidhërimin tonë, se me sa rezultate kanë qënë përpjekjet e fqinjëve tanë, sa në Europën e Perëndimit edhe nuk na marrin parasysh.

Vërtet Konferenca e Londrës më 22 Janar 1913 njohu si shtet më vehte Shqipërinë, por po thua 2/3 e vendeve që mbas drejtësisë duhej të njiheshin si Shqipëri, u lanë të vuajnë nën zgjedhën e huaj.

Serbët muarrën gjithë Kosovën shqiptare dhe u munduan me çdo mënyrë të shuajnë në ato vende të gjithë mos-serbët. Mali i Zi u rrit edhe dy herë më shumë se ç’qe, vetëm me shqiptarë e me tokën shqiptare ku malazezët nuk nëmëronin 1/1000 të vendësve.

Greqia, nga ana tjetër, nuk u kënaq me gjithë Shqipërinë e Jugut, kërkonte edhe një copë vend të madh si të drejtën e vet. Një komitet ndërkombëtar i vizitoi viset e dyshuara dhe vendosi që ato, pa dyshim, ti ngeleshin Shqipërisë.

Por Greqia nuk iu bind vendimit dhe rregullimit të komitetit, edhe për të gënjyer botën, punoi çdo lloj komedirash me finale tragjike ne Korcë e në Gjirokastër, ku ushtarë aktivë grekë, me petka të vendësve, luftuan kundër Shqipërisë foshnjë.

Zoti President! Në qoftë se në vendimin e paqes një komb lihet i pa njohur dhe do të përdoret kaq padrejtësisht, a mundet ndonjëherë të sigurohet paqja në atë anë të botës? Shqipëria sikundër Konferenca e Londrës e kufizoi kurrë s’mundej të rronte; kishte farën e vdekjes në gjakun e saj që në lindjen e vet.

Me këtë mënyrë Zotëri deri tani bota na ka përdorur mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit duke e ditur me siguri se marrja pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e drejtë e të ndershme të Zotërisë Suaj, në Kongresin e Paqes, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejën, si një komb i lirë, të hyjnë në Lidhjen e Kombeve.

Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj.

Në emër të studentëve shqiptarë në Vjenë

Të përvuajturit,

cand. med gand. Bodenkultur cand. ing

Jan BASHO Remzi BAÇE H. HIFZI

cand. jur. stud. phil. cand. Export akademi

Nush BUSHATI Djevat KORÇA Luigj KAKARRIQI

stud. ing Aspirant pharm. stud. ing

Gjovalin GJIADRI Raku BUDA Fuad ASLAN

Vjenë, Austri

15 / 12 / 1918