Përleshja pranë Athinës, në orët e para të së hënës, si rezultat i së cilës u plagosën gjashtë persona, tre grekë e tre shqiptarë, -të gjithë me moshë të re- nuk ka lidhje me ngjarjen e djeshme në Bularat, siç ishte supozuar më herët.

Sipas medias greke, që citon burime nga hetimet, shkaku i përleshjes lidhet me mosmarrëveshje ekonomike që kishin ndërmjet tyre dy shqiptarë.

Siç rezulton nga dëshmitë që ka mbledhur policia, tre shtetas shqiptarë shkuan të dielën në një dyqan në Geraka, pranë kryeqytetit, ku punonte një bashkatdhetar i tyre, i cili i kishte ca para borxh njerit prej të treve.

Pasoi një sherr ku tre shqiptarët e rrahën keqas “debitorin”.
Ky i fundit, i shoqëruar dhe nga të tjerë, u takua me ata të tre, në një park, në orët e para të mesnatës. Aty, u përleshën fillimisht me thika dhe pastaj pati edhe të shtëna armësh.

Sipas dëshmive, në të dy grupet kishte edhe grekë, ndërsa ishte e pranishme edhe mikesha greke e njrit prej shqiptarëve, e cila ndërkaq nuk u përfshi.

Gjashtë persona, tre grekë e tre shqiptarë, u plagosën dhe u dërguan në dy spitale të ndryshme.

Sipas mediave, në gjendje me të rëndë është një i ri shqiptar, që është goditur me thikë në kraharor, si dhe një grek, që ka një plagë me armë zjarri në qafë. Një tjetër shtetas shqiptar është qëlluar në këmbë.

Që të gjashtë ata po kurohen të ruajtur nga policia, pasi ndaj tyre ka dalë urdhër arresti. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen edhe të personave tl tjerë që janë përfshirë në përleshjen e përgjakshme.Banorë të zonës folën për mediat të hënë paradite.

Njeri pej tyre tha se komshiu i tij, që kishte deponuar në polici, i kishte treguar se shkaku i konfliktit lidhej me mosmarrëveshje për trafikun e drogës.Ndërsa një banor tjetër tha se kishte dëgjuar të paktën 7 të shtëna armësh.