Presidenti i Republikës, Ilir Meta pas një viti bllokim ka dekretuar në postin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendon.

Prej 31 tetorit të vitit 2017 dekreti ishte në Presidencë me propozim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa Ilir Meta ka vendosur që sot, në kulmin e debateve për refuzimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm të dekretojë Bendon në krye të SHISH.

Deri tani, Helidon Bendo ishte i komanduar në drejtimin e institucionit, që pas largimit të Visho Ajazi Likës ambasador në NATO.

Presidenti Ilir Meta në ditët e fundit ka bërë tre lëvizje, refuzoi dekretimin e Sandër Lleshit, propozoi anëtaren e Kushtetueses Vitore Tusha në postin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe sot dekretoi emrin e propozuar nga Rama në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.

KUSH ËSHTË KREU I SHISH

Helidon Bendo është pasuesi i Visho Ajazi Likës në krye të SHISH. Ai u propozua në këtë post nga kryeministri Edi Rama në tetorin e 2017.

Helidon Bendo ka mbajtur detyrën e zv/drejtorit të SHISH, i emëruar në prill të vitit 2016 me dekret të ish-presidentit Bujar Nishani.

Përpara kësaj detyre, prej 7 vitesh ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror (AQ) të SHISH.

Bendo ka eksperiencë 21 vjeçare në SHISH ku ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ.

Helidon Bendo ka lindur më datën 12 Maj 1971 në qytetin e Korçës. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Toën në SHBA.

Gjithashtu, Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit. Ai flet gjuhët anglisht e greqisht. Helidon Bendo është drejtori i 10 i SHISH pas vitit 1990 në Shqipëri.

Drejtorët e SHISH pas 1991 në Shqipëri
Irakli Koçollari 1991 – 1992
Bashkim Gazidede 1992-1997
Astrit Kodra 1997 i komanduar
Arben Karkini 1997
Fatos Klosi 1997-2002
Petrit Myftari i komanduar në 2002
Kujtim Hysenaj 2002
Bahri Shaqirin 2002-2012
Visho Ajazi Lika 2012-2017
Helidon Bendo 2017–

Artikulli paraprakMBIDOZE ILAÇESH,PËRFUNDON NË SPITAL 43-VJEÇARI
Artikulli tjetërSOT SHKARKOHET XHAFAJ NË KUVEND, SANDËR LLESHI KOMANDOHET MINISTËR I BRENDSHËM