Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag , Florian Hahn ka këshilluar opozitën që nuk duhet të bojkotojë parlamentin.

Në një intervistë për Deutsche Welle, ai thotë se nuk ka asgjë kundër protestave, por parlamenti – thotë ai – si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi.

Florian Hahn: Unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, parlamenti. Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin parlamentin.

Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi.

Kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe kam këshillën që mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.

I pyetur se a do të kishte kuptim të bëheshin zgjedhje të reja, zyrtari i CDU/CSU tha:

Florian Hahn: E çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo?

Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së?

Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Referuar progresit të bërë nga Shqipëria për anëtarësimin në BE, Hahn tha se janë bërë disa përparime, por bojkoti i fundit është hap i madh prapa.

Florian Hahn: Në disa aspekte shohim se nuk është bërë asnjë lëvizje, në aspekte të tjera ka përmirësime të mëdha, si për shembull, në procesin e Vettingut. Por situata aktuale, e sidomos bojkotimi i parlamentit është një hap i madh prapa.