Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uron partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për rezultatin e zgjedhjeve, prej ku fituan mandat 32 deputetë shqiptarë.

Basha shkruan në ‘Twitter’ se pavarësisht rreshtimit politik të mandateve shqiptare në qeveri apo opozitë, ato do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe në emrin tim personal, uroj 32 deputetët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e mbajtura në RMV. E kam përcjellë me entuziazëm këtë rezultat historik, me besimin e plotë se pavarësisht rreshtimit politik të mandateve shqiptare në qeveri apo opozitë, ato do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në RMV dhe do të garantojnë e konsolidojnë kursin e qartë të RMV drejt standarteve euroatlantike që janë garancia e vetme dhe e sigurtë për një Ballkan demokratik,në paqe e të zhvilluar”, shkruan Basha.