Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari e quajti të paprecedentë caktimin e datës 25 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vend, ditë e cila përkon me festën e Bajramit të Madh.

Në hytben e së premtes, Sytari fajësoi dy liderët politikë Rama dhe Basha duke thënë se myftinia e Shkodrës ndihet e befasuar nga përcaktimi i kësaj date, një fenomen që sipas tij nuk ka ndodhur as në kohën e komunizmit.

Imam Muhamed Sytari kërkoi një reagim nga Komuniteti Mysliman Shqiptar për këtë rast, ndërsa nuk ngurroi të shigjetonte institucionet lokale duke thënë se myftinia distancohet nga festat e shumta me pije alkolike të organizuara së fundmi nga Bashkia Shkodër dhe institucione të tjera.

Nga ana tjetër, Myftiu Sytari, duke folur para besimtarëve për 27 majin, ditën e fillimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, tha se njerëzimi ndodhet në prag të greminës si pasojë e largimit nga feja.

Deklaratat e Imam Muhamed Sytarit si dhe fjala e tij para besimtarëve u bënë në ambientet e xhamisë së Parrucës në Shkodër.

Artikulli paraprakPLAGOSJA NË VELIPOJË, SHOQËROHEN 3 TË DYSHUAR PËR NGJARJEN
Artikulli tjetërPOLICIA PYJORE SEKUESTRON 30 METËR STERË LËNDË DRUSORE