Tre kandidatët që garojnë të dielën për postin e presidentit në Maqedoninë e Veriut apeluan qytetarët për një dalje më masive në votime, pasi rezultatet paraprake tregojnë se vetëm një pjesë e vogël ka shprehur interes për procesin.

Votimi është zhvilluar pa incidente apo pretendime madhore për parregullsi, sikurse fushata elektorale.

Maqedonia e Veriut nisi të dielën raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që pas ndryshimit të emrit, dhe të gjashtin që prej pavarësimit nga Jugosllavia gati tri dekada më parë.

Qendrat e votimit për 1,8 milionë banorët me të drejtë votimi u hapën në orën 7 dhe pritet të mbyllen në orën 19.

Procesi deri në orën 16 vijoi pa incidente, por pjesëmarrja në mesditë ishte e ulët në vetëm 20.45 për qind.

Në këtë raund të parë votimi, për postin kryesisht ceremonial të Kreut të Shtetit garojnë tri kandidatë.

Më i favorizuari mes tyre mbetet kandidati i qeverisë, Stevo Pendarovski, i cili pas votimit deklaroi pritshmëritë e tij.

Pendarovski: “Pres një avantazh bindës, i cili në raundin e dytë do të krijojë shanset për qytetarët që të shprehen masivisht dhe përfundimisht për rrugën që vendi ynë nisi dy vite më parë kundër izolimit dhe drejt Europës, aty ku na takon të jemi.”

E përzgjedhura e partisë opozitare VMRO, Gordana Siljanovska, gjithashtu mbetet favorite për karrigen e kreut të shtetit.

Ajo tha të dielën se me kandidaturën e saj do të tregojë se gratë kanë cilësi të veçanta dhe mënyra të tjera se si i menaxhojnë problemet.

Siljanovska tha se nëse nuk arrin të avancojë deri në raundin e dytë, do të votojë për kandidatin shqiptar, Blerim Reka, duke e çmuar si kompetent dhe me orientim qytetar.

Ky i fundit i cilësoi zgjedhjet e sotme një kapitull të ri për republikën e Maqedonisë së Veriut.

Reka: Secili nga tre kandidatët mund të fitojë nëse merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave apo rreth 900 mijë përkrahës nga lista e votuesve, por deri tani asnjë president maqedonas nuk e ka arritur këtë.

Me gjasë dy kandidatët me më shumë vota do të përballen në balotazhin e datës 5 maj, ku fituesi do të përcaktohet nga numri i votave me kushtin që 40 për qind e elektoratit të marrë pjesë në votime.

Fushata elektorale që nisi 20 ditë më parë ka qenë kryesisht e qetë dhe demokratike, me fokus të veçantë Marrëveshjen e Prespës, integrimin europian, raportet ndëretnike dhe krimin e korrupsionin në vend.

Kryeministri, Zoran Zaev, ka thënë se zgjedhjet presidenciale i sheh si një test për qeverisjen e vet, dhe ka thënë se nëse kandidati i tij, Stevo Pendarovski, nuk fiton, mund të shpallë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Artikulli paraprakTMERROHET NGA KAMIONI ME KASHTË QË I VAREJ MBI KOKË,TURISTI NJOFTON POLICINË
Artikulli tjetërDETAJE NGA GRABITJA E RINASIT, MAKINA U MODIFIKUA NË ELBASAN, NJË FEMËR NDIHMOI AUTORËT