Më në fund, Shqipëria ka një gjyqtar të ri në Gjykatën e Strasburgut. Asambleja Parlamentare votoi sot për përfaqësuesin e Shqipërisë në këtë gjykatë, gjyqtarin Darian Pavli. Pavli zëvendëson në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut Ledi Biankun.

Shqipëria ka çuar disa kandidatë për këtë gjykatë, por që janë refuzuar nga Strasburgut për shkak se nuk përmbushnin kriteret.

Kjo kandidaturë iu prezantua Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pak ditë më parë nga Komiteti për Zgjedhjen e Gjyqtarëve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) i Këshillit të Evropës.

Më 28 shtator, komiteti, i përbërë nga 20 anëtarë nën kryesimin e Valeriu Ghilechi të Moldovës, intervistoi tre kandidaturat e paraqitura nga qeveria, Sokol Berberi, Darian Pavli dhe Mariana Semini.

Pavli ka lindur në vitin 1975 në Vlorë dhe ka master të dyfishtë në ligj kushtetues dhe krahasues nga Universiteti Qendror Evropian (Hungari) dhe ligjin e shërbimit publik nga Shkolla e Ligjit e Universitetit të Nju Jorkut (SHBA).

Në bazë të jetëshkrimit paraqitur Këshilli të Evropës, Pavli ka përvojë të gjerë si avokat gjyqësor, por jo si gjykatës. Vitet e fundit, ai ka punuar si ekspert ligjor pranë Fondacionit Soros në Tiranë dhe aktualisht është ekspert ligjor pranë misionit EURALIUS V.

Artikulli paraprakGRABITËSI SHQIPTAR ARRESTOHET NË BANJË
Artikulli tjetërPROTESTUAN KUNDËR KRIMIT E MAFIAS, PROKURORIA SHKODER I VË NË HETIM