Nëntë persona nga Nepali të cilët ndodheshin në Durrës janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Sipas policisë shtetasit e huaj ishin akomoduar në një hotel në qytetin bregdetar që prej datën 9 mars, ndërsa në datën 10 ata nuk janë kthyer më.

Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa policia ka nisur punë per gjetjen e personave.

Të ardhur në shtetin tonë përmes pikës kufitare të Rinasit, me qëllim për t’u punësuar si marinarë në një anije në Durrës, ata janë zhdukur pa lënë gjurmë, por duke lënë pas bagazhet dhe dokumentacionet e tyre.

Sipas informacioneve policore, mësohet se ata kanë mbërritur të premten më datë 9 mars në Rinas, e më pas janë akomoduar në një hotel në Durrës. Por një ditë më pas, më 10 mars, ata janë larguar nga hoteli duke braktisur bagazhet dhe nuk janë kthyer më.

Burimet policore thanë për “DurrësLajm” se gjatë hetimeve të deritanishme nuk kanë vërejtur ndonjë gjë të jashtëligjshme apo të dyshimtë rreth nepalezëve. Ndërkohë largimi i tyre i papritur mbetet ende i veshur me mister.

Seksioni për trafikun e paligjshëm vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.
Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, neni 298 i Kodit Penal.