Zjarri i përmasave të mëdha, që u riaktivizua fuqishëm pasditen e të enjtes 6 gusht 2015 në pyjet e Trunit në njësinë administrative të Blerimit, në bashkinë e Fushë Arrëzit, duket se pas do të lërë dëme të konsiderueshme për ekonominë pyjore të kësaj zone. Pasi shërbimi zjarrfikës kishte vënë nën kontroll flakët, një erë e papritur dhe e fuqishme ka përfshirë në zjarr sipërfaqe të tëra pyjore duke bërë që situata të dilte jashtë kontrollit, cfarë solli dhe një situatë kaotike në zonë.

Shërbimi zjarrfikës i Pukës dërgoi në zonë mjetë zjarrfikese shtesë, ndërkohë që errësira e natës e bëri të pamundur ndërhyrjen nga ajri. Efektivët e zjarrfikësve, që po menaxhohen në vend nga vete shefi i repartit Agron Hadroj së bashku me banorë të zonës, kanë shfrytëzuar qetësinë atmosferike të orëve të para të mëngjesit për rivënjen e situatës nën kontroll, ndërkohë që erërat që fryejnë buzë luginës së Drinit rrezikojnë përhapjen e flakëve sërish. Sipas kreut të Shërbimit Pyjor në Pukë Roland Toma nëse zjarri kalon në kodrën tjetër atëherë situata do të jetë më kaotike pasi masivi pyjor i bredhit rrezikohet i tëri. Një helikopter i emergjencave civile ka fluturuar drejt zonës për hedhjen e ujit nga ajri.

PUBLICITET