Një zjarr ka rënë në një banesë në Vau Dejës. Flakët kanë përfshirë një shtëpi që ndodhet në një prej rrugicave dytësore në aksin e sipërm pak metra pa shkuar tek hidrocentrali i Vau Dejësit.

Menjëherë pas rënies së zjarrit familjarët kanë njoftuar shërbimin zjarrëfikës. Efektivët janë nisur me shpejtësi por normalisht ka patur një vonesë duke marrë parasysh distancën e largët nga Shkodra drejt Vau Dejësit apo edhe trafikun e rënduar si dhe reshjet e dendura të shiut.

Megjithatë sapo kanë mbërritur në vendngjarje zjarrëfikësit kanë vepruar menjëherë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve aty. Përpara se të mbërrinin zjarrëfikëset flakët kanë rrezikuar edhe 3-4 banesa të tjera që ndodheshin ngjitur me shtëpinë që ishte përfshirë nga flakët.

Tek të gjithë banorët e asaj zone derisa ka mbërritur zjarrëfikësja ka patur panik për shkak të flakëve që po përhapeshin me shpejtësi të ndihmuar edhe nga era si shkak i motit të keq në ato momente.

Megjithatë efektivët kanë bërë të mundur të ndërhyjnë në kohë duke arritur që të bëjnë të mundur shuarjen e flakëve dhe normalizimin e situatës.

Sipas burimeve nga flakët është përfshirë vetëm pjesa e çatisë të banesës e cila është djegur pjesërisht ndërsa raportohet se nuk ka dëmë të tjera.

Gjithashtu sipas burimeve nuk ka të lënduar në njerëz nga ky zjarr i rënë. Ajo që mbetet problem për Vau Dejësin është mungesa e zjarrëfikësve për atë zonë.

Për çdo rast kur ka zjarr duhet që mjetet të shkojnë nga Shkodra drejt Vau Dejësit për shkak se ajo zonë është e pambuluar.

Disa herë është kërkuar që mjetet zjarrëfikëse të mundësohen edhe për bashkinë Vau Dejës por deri më tani ende nuk ka një zgjidhje.