Në mënyrë paradoksale dhe me temperatura ndjeshëm më të ulta sesa stina e verës, Shqipëria po përballet në këtë fund shtatori me një situatë emegjence të rënies së zjarreve në zona me pyje dhe bimësi.

Nga data 10 shtator e deri më tani janë shfaqur mbi 92 vatra zjarri që kanë djegur mbi 262 hektarë tokë me bimësi të ndryshme, mes të cilëve edhe 1162 rrënjë ullinj. Nga të dhënat e para, nuk bëhet fjalë për dukuri natyrore, por shkaktare duket se është dora e njeriut.

Sipas informacioneve nga Emergjencat Civile, shumica e zjarreve që janë shfaqur këto ditët e fundit të shtatorit kanë qenë të qëllimshme, të vendosura nga dora e njeriut. Ashtu siç ka qenë edhe zjarri që dogji një sipërfaqe të gjerë me bimë dhe pemë në zonën e Plazhit të Gjeneralit, ku ka ende vatra aktive.

Disa ullishte u dogjën dy ditë më parë në Lushnje. Policia e këtij qyteti identifikoi edhe një grua 55-vjeçare, e cila në përpjekje për të djegur mbeturinat në tokën e saj, i doli zjarri jashtë kontrollit duke djegur qindra rrënjë ullinj në kodrat e qytetit.

Por, kjo ngjarje pasoi një tjetër akoma më të rëndë, pasi gruaja nuk e ka përballuar dot peshën e fajit për situatën e krijuar dhe kur ka kuptuar se policia po vinte në banesë, ka pirë fostoksinë. Edhe pse bashkëshorti i shoqëruar nga forcat e policisë e dërguan për ndihmë në spital, 55-vjeçarja nuk ia doli të mbijetonte.

Vatra zjarri gjatë disa ditëve ka patur edhe në rrethin e Fierit, ku janë djegur disa qindra rrënjë ullinj. Në Levan, Peshtan dhe Cakran ka ende vatra zjarri që digjen. Shumica e zonave të djegura janë ullishte të cilat pas disa javësh duhet të vilen.

Ndërkohë, Emergjencat Civile kanë paralajmëruar se cilatdo që të jenë arsyet e zjarrvënieve, kjo është një veprimtari kriminale dhe e dënueshme ligjërisht.

Artikulli paraprakARRESTOHET 19-VJEÇARI SHQIPTAR ME 34.5 KG DROGË
Artikulli tjetërEKSPERTIZA MJEKO-LIGJORE: VAJZA U DHUNUA, POLICI FSHEHU DHUNËN