Mbrojtësi fierak Rudin Nako është larguar nga Vllaznia. Prova e tij ka zgjatur vetëm një seancë stërvitore, atë të pasdites së djeshme dhe menjëherë pas saj, ai është larguar prej kësaj skuadre. Siç mësohet, pas përfundimit të stërvitjes së pasdites së djeshme, 28-vjeçari, që ka qenë pjesë e Apolonisë në sezonin e fundit, ka takuar trajnerin Zmijani dhe i ka bërë të ditur atij se forma e tij fizike nuk ka qenë ajo e duhura dhe, për rrjedhojë, nuk mund të përballonte ritmin e stërvitjes.

Kjo në fakt është dukur qartë, sepse mesa duket gjatë gjithë kësaj periudhës së fundit, Nako nuk ka zhvilluar stërvitje të rregullt dhe kjo i ka krijuar defiçite në aspektin fizik dhe kjo është konstatuar lehtësisht edhe nga ana e stafit teknik të kuqebluve. E nëse Nako është larguar pasditen e djeshme, sot paradite nga Vllaznia është larguar edhe mesfushori kosovar Gavazaj. Gavazaj kishte tetë ditë që ishte në provë te kuqeblutë, por ndonëse shenjat e para ishin pozitive, në fund nuk duket se ka arritur të bindë trajnerin Zmijani për formën e tij dhe për këtë arsye, ai e ka larguar nga skuadra. Krejt ndryshe është situata me dy kosovarët e tjerë, Arifajn dhe Ramadanin, që vazhdojnë të jenë sërish në provë te kuqeblutë, por edhe ata janë në pritje të një vendimi përfundimtar të drejtuesve kuqeblu.

Artikulli paraprakDORINA GARUCI INTERPRETON ROLE ME FAMË BOTËRORE
Artikulli tjetërTËRBUNI I NIS MBARË MIQËSORET, FITON ME VALBONËN