Ditmar Bicaj nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë.

Ashtu siç është përfolur lezhjani tashmë edhe zyrtarisht është pjesë e Flamurtarit. Bicaj ka firmosur një kontratë të re në Vlorë dhe tashmë ka hedhur edhe firmën duke qenë pjesë e vlonjatëve për sezonin e ardhshëm. Bicaj qëndroi për një sezon tek Vllaznia duke luajtur në qendër të mbrojtjes.

Lezhjani pati disa luhatje në ndeshjet e luajtura ashtu si edhe një pjesë tjetër e lojtarëve të Vllaznisë. Në këtë mënyrë duket se si drejtuesit e Vllaznisë ashtu edhe vetë Bicaj nuk e kanë parë më të arsyeshme që të ulen në bisedime apo të mendojnë për një kontratë të re. Lezhjani ka zgjedhur që të firmosë për Flamurtarin duke i dhënë lamtumirën Vllaznisë.

Bicaj nuk është i vetmi sepse ndër të larguarit janë tashmë edhe portieri Agoviç, mbrojtësi Cicmil, Muleno dhe sulmuesi Pepa. Ende nuk ka një ide se çfarë do të ndodhë me Endri Vrapin nëse do firmosë apo jo edhe për sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër tek Vllaznia deri tani nuk dihet se cilët do të jenë lojtarët që mund të bashkohen për kampionatin e ardhshëm.

Qarkullojnë disa emra por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Duhen pritur ditët në vazhdim për të parë se cilat do të jenë lëvizjet e Vllaznisë në merkato, nëse do të ketë lojtarë të tjerë që mund të largohen dhe se kush do të jenë ata që do të jenë pjesë e kuqebluve. Merkatoja e vitit të kaluar nuk ka rezultuar shumë efiçente për Vllazninë ndaj këtë radhë mendohet që të mos bëhen të njëjtat gabime.