Nga sot, zyrtarisht, e gjitha opozita e bashkuar, nuk ka më deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Asnjëri prej tyre, që hoqën dorë nga mandati, nuk do të gëzojë të drejtat e deputetit.

Pasi Kuvendi shpalli dje vakancat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vijuar proceduar për të zëvendësuar si deputetët e opozitës, me kandidatët pasues në listat e PD-së, LSI-së, dhe aleatëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në një deklaratë për mediat sot, zëdhënësja e KQZ-së, u bëri thirrje kandidatëve të listave, se kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularët e vetëdeklarimit.

Kështu, nga sot, të gjithë përfaqësuesit e opozitës, quhen ish-deputetë, duke mos gëzuar më të drejtën për të marrë rrogë, dhe të gjitha përfitimet e tjera që buronin nga mandati. Atribute që i kalojnë të gjitha një kandidati në listat e forcave opozitare, nëse ai do të pranojë mandatin e deputetit.

Deri më tani kundër vendimit të grupeve, kanë dalë deputeti i PD-së, Mylsim Murrizi dhe Lefter Koka i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa ende është pezull vendimi i deputetes Rudina Hajdari, vajzës së të ndjerit Azem Hajdari.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Duke marrë shkas nga sensitiviteti i treguar nga media dhe opinioni publik lidhur me çeshtjen e zëvëndësimit të vakancave të krijuara në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju bën me dije se,në KQZ mbërritur kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë për plotësimin e vendeve vakante për 57 deputetë të dorëhequr.

KQZ konfirmon vijimin e procedurave të mëtejshme në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor.

Ligji i kërkon KQZ-së që të kontaktojë kandidatët e listave respektive sipas radhës dhe t’u kërkojë atyre plotësimin e formularit të vetëdeklarimit pa të cilin nuk mund të marrin vertëtimin e zgjedhjes. Kandidatët e listës shumemërore kanë afat 10 ditë për dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit.

Pas verifikimit dhe shqyrtimit nga Administrata e KQZ-së zëvëndësimet e vakancave të krijuara, do të kalojnë në mbledhjet publike të KQZ-së.

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve garanton se do të zbatojë ligjin me rigorozitet.

Faleminderit!

Artikulli paraprakDËBORA JESHILE MBULON QYTETIN
Artikulli tjetërSTAR TREND – 26.02.2019