
Bashkia Lezhë ka publikuar të dhënat e detajuara mbi fluksin turistik për vitin 2026, ku rezultojnë 1 milion e 532 mijë e 36 vizita, duke pesuar rritje me rreth 188 mijë persona krahasuar me vitin 2025, kur u regjistruan 1 milion e 343 mijë e 891 vizitor. Turizmi bregdetar vijon të mbajë peshën kryesore të fluksit turistik, me mbi 1 milion e 150 mijë vizita gjatë sezonit veror. Sipas bashkisë, rreth 70% e pushuesve akomodohen në hotele, resorte dhe struktura të tjera turistike, ndërsa 25% janë vizitorë ditorë. Pjesa tjetër, rreth 5%, qëndron në apartamente sezonale ose pranë të afërmve.Në kategorinë e vizitorëve ditorë përfshihen kryesisht emigrantët shqiptarë gjatë periudhës së pushimeve, si dhe vizitorët nga zonat përreth Lezhës. Ndërsa në grupin e personave që qëndrojnë në apartamente sezonale apo pranë familjarëve bëjnë pjesë kryesisht emigrantët shqiptarë dhe shtetas nga Kosova.
Një tjetër sektor që ka tërhequr interes është turizmi kulinar, me mbi 280 mijë vizita, ndersa turizmi historiko-kulturor ka tërhequr vizitorë gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të bashkisë, monumentet dhe objektet e trashëgimisë kulturore kanë regjistruar rreth 32 mijë vizita. Ndër atraksionet kryesore janë Memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Muzeu Etnografik, Muzeu Arkeologjik dhe Kalaja e Lezhës.Ndërkohë, destinacionet natyrore të Bashkisë Lezhë kanë regjistruar 70 mijë e 36 vizita. Në këtë kategori përfshihen Kune-Vaini, Rana e Hedhun dhe zonat malore, të cilat ofrojnë mundësi për ekoturizëm, turizëm aventure, ecje në natyrë dhe çiklizëm.Bashkia vlerëson se këto destinacione përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe zgjerimin e ofertës turistike përtej sezonit veror.Megjithatë, në raportin e publikuar sqarohet se shifrat përfaqësojnë vizita dhe jo domosdoshmërisht numrin e individëve unikë, pasi i njëjti turist mund të ketë vizituar disa herë destinacionet gjatë vitit.
Të dhënat e publikuara nga Bashkia Lezhë tregojnë se turizmi bregdetar mbetet shtylla kryesore e sektorit, ndërsa gastronomia, trashëgimia kulturore dhe pasuritë natyrore vijojnë të kontribuojnë në diversifikimin e ofertës turistike të zonës.


