
1 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, një ditë që sjell në vëmendje kontributin e kësaj grupmoshe, por edhe problematikat me të cilat përballen në përditshmëri.
Në Shqipëri, për shumë të moshuar, pensioni mbetet burimi kryesor i të ardhurave. Por rritja e çmimeve dhe kostove të jetesës e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e nevojave bazë. Star Plus pyeti të moshuarit në Shkodër se cilat janë shqetësimet që i shoqërojnë çdo ditë.
Pensionet e ulëta, sipas të moshuarve të pyetur në Shkodër, nuk përballojnë më nevojat bazë të jetesës. Mes faturave të energjisë dhe ujit, shpenzimeve për ushqime dhe kostove të tjera të përditshme, shumë prej tyre thonë se duhet të zgjedhin se cilat nevoja të paguajnë më parë. Shqetësimi i tyre lidhet edhe me ndjesinë se të ardhurat nuk janë rritur në të njëjtën masë me koston e jetesës.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, përtej urimeve dhe aktiviteteve simbolike, problematikat e ngritura prej tyre sjellin në vëmendje një kërkesë të qartë: më shumë të ardhura dhe më shumë mbështetje për një kategori që ka kaluar një jetë duke kontribuar në shoqëri.


