Viti 2020 nuk u quajt më kot “viti ferrit”. Pandemia, ngjarja katastrofike që parashikohet si një mundësi, por asnjëherë me saktësi kohore, erdhi këtë vit në një situatë globale të përkeqësuar nga thellimi i ndarjeve politike dhe tribalizmit.

Institucionet ndërkombëtare vazhduan të copëzoheshin, me SHBA-në që u tërhoq nga OBSH pikërisht në mesin e pandemisë. Por edhe në humnerë pati rreze shprese.

Demokracia dominoi në zgjedhjet presidenciale amerikane, edhe pse sistemi politik atje mbetet i polarizuar dhe jofunksional.

Ndërkohë shkencëtarët të ndihmuar nga një inovacion spektakolar, krijuan me një shpejtësi mahnitëse vaksinuar kundër Covid-19.

Është joshëse të thuash se në vitin 2021, gjërat nuk kanë se ku të shkojnë tjetër përveçse të përmirësohen. Por do të ketë goditje të mëtejshme të paparashikuara, dhe për pasojë jo pak rreziqe.

Ja cilat janë ato:

Kriza e Covid-19, mund thellohet për shkak të procesit të ngadaltë të vaksinimit

Covid-19 mund të vazhdojë të përhapet me shpejtësi në SHBA, Bashkimin Evropian dhe Rusi. Dhe pasojat nga udhëtimet me rastin e pushimeve, mbledhjet e familjarëve dhe miqve, dhe lodhja e njerëzve nga masat kufizuese mund të shtrihen në vitin 2021.

Shpërndarja e vaksinave mund të hasë në probleme të papritura të prodhimit dhe logjistikës, duke e shtyrë kohën kur duhet të ishte vaksinuar pjesa më e madhe e popullsisë. Kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do të qëndrojnë në fuqi për pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm. Ndërkohë virusi vazhdon të përhapet dhe pësojë mutacion, duke e kufizuar potencialisht efektivitetin e vaksinës.

Presidenca e Joe Biden bllokohet që në fillim

Aftësia e Biden për të qeverisur do të kufizohet, sidomos nëse republikanët mbajnë shumicën në Senat. Edhe në ditët e tij të fundit në krye të vendit, Trump po ia bën sa më të vështirë qëmundet punën pasardhësit të tij. Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin, i ka kthyer qeverisë 455 miliardë dollarë nga fondet e rimëkëmbjes.

Gjithashtu, Trump po e kërcënon Kinën me shitjen e armëve shtesë në Tajvan, Iranin me sanksione shtesë, dhe po e tërheq SHBA-në nga Traktati i Qiejve të Hapur, një hap i mëtejshëm drejt shpërbërjes së masave të kontrollit të armëve. Trump mund të jetë një halë në sytë e Biden për 4 vitet e ardhshme, sidomos nëse synon të garojë në vitin 2024.

Shpërthen një krizë tjetër globale financiare

Borxhi global si pasojë e shpenzimeve emergjente nga Covid-19 u rrit me 15 trilion dollarë në vitin 2020, dhe pritet të arrijë në365 për qind të PBB-së globale deri në fund të vitit. Ekonomitë në zhvillim kanë nevojë për 7 trilionë dollarë për të shlyer borxhet deri në fundin e 2021-ës. Kjo mund të shkaktojë një tjetër krizë financiare globale.

Vendet perëndimore përballen me një rimëkëmbje ekonomike të ngadaltë

Vetëm një ekonomi e madhe – Kina – do të përjetojë rritje e konsiderueshme (gati 2 për qind) në vitin 2020. Nëse do të ketë stimul financiar jo të përshtatshëm, situata ekonomike në Perëndim mund të përkeqësohet. Në Evropë, masat shtrënguese pas vitit 2008 e përkeqësuan problemin e rritjes së ngadaltë ekonomike.

Koreja e Veriut prodhon një tjetër krizë

Pavarësisht 3 takimeve Trump-Kim Jong-un, Koreja e Veriut mburret me një arsenal prej 20-30 armësh bërthamore, përfshirë disa raketa balistike ndërkontinentale, që së shpejti mund të jenë në gjendje të arrijnë edhe territorin e SHBA-së.

Në të kaluarën, Pheniani ka preferuar t’i “përshëndesë” presidentët e rinj amerikanë me një provokim të ri në formën e një rakete ose testi të ri bërthamor. Ndaj prisni diçka të tillë në 3-mujorin e parë të presidencës së Biden. Një akt i tillë do të shtrojë presionin ndaj Biden për të bërë diçka. Kjo do të shtojë tensionet dhe ka të ngjarë të çojë në një pseudo-krizë që mund të dalë jashtë kontrollit.

Përshkallëzohet përballja SHBA-Iran

Vrasja e dyshuar nga Izraeli e shkencëtarit bërthamor të Iranit, plus sanksionet e reja të Trump para largimit,mund ta radikalozojnë më tej Iranin, duke zbehur shpresën e Biden për rinovimin e marrëveshjes bërthamore.

Nëse Udhëheqësi Suprem Ajatollah Khamenei do të mbajë zotimin e tij për t`u hakmarrë – kundra Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe ose objekteve të e naftës Saudite – para 20 Janarit, kjo mund të shkaktojë një reagim të fortë nga administrata Trump, si për shembull një fushatë bombardimesh në objektin bërthamor Natanz. Kjo, nga ana tjetër, mund të shkaktojë një cikël përshkallëzues midis Uashingtonit dhe Teheranit, duke minuar aspiratat diplomatike të Joe Biden.

Përplasje e re SHBA-Kinë mbi Tajvanin

Çdo lëvizje e Shteteve të Bashkuara për të treguar mbështetje për Tajvanin – si për shembull përmes shitjes së armëve, vizitave zyrtare të nivelit të lartë dhe stërvitjeve ushtarake – ka bërë që Kina të shtojë presionit e saj ndaj Tajvanit. Tajvani është një çështje ekzistenciale për Partinë Komuniste Kineze. Nëse përballja SHBA-Kinë përkeqësohet, Xi Jinping mund të ndihet i detyruar të shkojë drejt bashkimit të Tajvanit me Kinën kontinentale.

Bota goditet nga kriza më e rëndë ushqimore ndër dekada

Pandemia ka prishur zinxhirët globalë të furnizimit me ushqim. OKB parashikon që më shumë njerëz do të vdesin nga kequshqyerja e lidhur me Covid-19 dhe sëmundjet e tij shoqëruese sesa nga koronavirusi.

Kjo nuk merr parasysh taksën për ata që mbijetojnë; Kequshqyerja e fëmijëve ka pasoja shëndetësore dhe mendore gjatë gjithë jetës. Jemeni, Sudani i Jugut, Nigeria dhe Burkina Faso janë tashmë në prag të urisë. Madje edhe në SHBA, më shumë se 1 në 5 familje janë tani të pasigurta për sigurimin e ushqimit.

Merr fund zgjerimi i klasës së mesme globale

Arritja kryesore e botës në 3 dekadat e fundit ishte nxjerrja e miliona njerëzve nga varfëria ekstreme, dhe zgjerimi i një klase të mesme globale. Kjo arritje mund të zhbëhet nëse nuk ka një rimëkëmbje të fortë ekonomike vitin e ardhshëm nga kriza e Covid-19. Banka Botërore parashikon që deri në fund të vitit 2021, rreth 150 milion njerëz të tjerë do të zhyten në varfëri ekstreme.

Turqia neo-otomane, bëhet edhe më agresive në arenën ndërkombëtare

Një Turqi gjithnjë e më autoritare, islamike dhe ekspansioniste nën Rexhep Tajip Erdogan, ka ndërhyrë ushtarakisht ose ka vendosur trupa në Somali, Katar, Libi, Irak, Siri dhe Ballkan.

Ankaraja është përballur me Rusinë në Siri, Libi dhe Azerbajxhan, ndërsa ka sulmuar kurdët aleatë të SHBA-së që po luftojnë me ISIS-in. Turqia po vendos sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, që përbën një kërcënim për NATO-n. Një qasje edhe më agresive ushtarake e Ankarasë në shumë fronte, mund të shkaktojë më shumë konflikte.