
Dhjetë vite nga Lumnimi i 38 Martirëve Shqiptarë, Kisha Katolike në Shkodër vijon ceremonitë përkujtimore në nderim të dëshmisë dhe sakrificës së tyre në emër të fesë. Në Bazilikën e Nanës së Këshillit të Mirë u kremtua Mesha e Shenjtë, pjesë e nëntëditëshit kushtuar këtij përvjetori.
Meshën e Shenjtë e drejtoi famullitari i Shkodrës, Dom Mikel Pllumaj, ndërsa dhjetëra besimtarë u bashkuan në lutje për të nderuar 38 martirët, të cilët, pavarësisht përndjekjeve dhe vuajtjeve gjatë regjimit komunist, nuk hoqën dorë nga besimi i tyre.
Dhjetë vjet pas Lumnimit, figura e tyre vijon të mbetet një simbol i qëndresës, guximit dhe besnikërisë ndaj Krishtit, duke përcjellë një mesazh që tejkalon kohën dhe u shërben brezave të rinj si shembull përkushtimi dhe sakrifice.


