
Panairi i Librit “Libri të ban të lirë” në Shkodër ka vijuar aktivitetet e tij me prezantimin e veprës më të re të shkrimtarit Stefan Çapaliku, “101 tregime të shkurta”. Aktiviteti u çel me interpretimin e disa fragmenteve nga libri nga aktorja Rita Gjeka, e cila solli për të pranishmit atmosferën dhe personazhet e rrëfimeve të autorit.
Takimi u zhvillua në odeonin e hapur të Famullisë “Zoja e Shkodrës”, duke mbledhur lexues, krijues dhe dashamirës të letërsisë në një bashkëbisedim rreth botimit më të fundit të Çapalikut. Gjatë promovimit, autori ndau me publikun përshtypjet dhe emocionet që shoqërojnë daljen e një libri të ri, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me lexuesin.
Në këtë vepër, Çapaliku sjell 101 rrëfime të shkurtra ku ndërthuren ironia, satira dhe vëzhgimi kritik i realitetit shqiptar. Përmes ngjarjeve të përditshme dhe situatave shpesh paradoksale, autori prek tema që lidhen me tranzicionin, pushtetin, identitetin dhe sfidat e shoqërisë bashkëkohore.
I ndërtuar mbi një stil të mprehtë narrativ, libri lëviz mes humorit të hollë, groteskut dhe alegorisë, duke krijuar një panoramë të veçantë të jetës moderne shqiptare. Promovimi i tij u shndërrua në një tjetër moment të rëndësishëm të Panairit të Librit, i cili po sjell në Shkodër autorë dhe botime që pasurojnë jetën kulturore të qytetit.


