Kjo pako është lëndë plasëse e dyshuar si tritol me të cilën nisi ditën administratori i Vllaznisë Suad Lici.

Nuk është një dhuratë për 101-vjetorin e Vllaznisë që është sot me 16 shkurt por një mesazh kërcënues i drejtpërdrejtë për administratorin Suad Lici.

Sapo ka dalë nga shtëpia në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” Lici është përballur me pakon e dyshimtë e mbështjellë me natriban fitili i të cilës është ndezur por është shuar ende pa shpërthyer lënda plasëse.

Administratori Lici tregon momentin e parë kur është përballur me sasinë e vendosur poshtë makinës së tij ndërsa nuk mohon faktin se kjo mund të lidhet me punën e tij si administrator i Vllaznisë dhe pretendimet që mund të kenë shumë lojtarë të ndryshëm për të qenë pjesë e Vllaznisë edhe pse thotë se nuk ka asnjë konflikt të hapur.

Administratori Suad Lici ka një mesazh për këdo që ka një pretendim ndaj tij duke i thënë këtu më kanë në Shkodër dhe se nuk tërhiqem.

Kjo nuk është hera e parë që drejtues të Vllaznisë vihen në shënjestër me ngjarje kriminale. Ish trajnerët Armando Cungu, Ernest Gjoka dhe Agim Canaj por edhe ish-drejtues të tjerë ndër vite sistematikisht janë kërcënuar e ndërsa një pjesë edhe goditur apo disave u kanë nxjerrë armët deri tek pengmarrja për disa orë vetëm për aktivizim lojtarësh tek ekipi i parë i Vllaznisë.

Kjo ngjarje prishi 101-vjetorin e themelimit të klubit Vllaznia, festë e cila nisi në mënyrën më të keqe, me vendosje tritoli.

Artikulli paraprakMAKINA PËRPLAS PËR VDEKJE 52-VJEÇAREN SHQIPTARE
Artikulli tjetërADEMI PËR TRITOLIN: SHKODRA NUK ËSHTË E QETË, TË ZBARDHET