
Ka nisur prodhimi i fletëve të votimit për zgjedhësit nga jashtë që janë regjistruar për të votuar më 11 Maj. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, në një komunikim me gazetarët, tha se fletët po printohen nga një kompani sllovene dhe se brenda datës 8 prill pritet të vijnë në Shqipëri.
Përgatitja e zarfeve me fletën e votimit do të bëhet brenda datave 8-10 prill, ndërsa zgjedhësve jashtë parashikohet që t’u dërgohet brenda datës 17 Prill. Celibashi deklaroi se çdo zgjedhës mund ta marrë vetëm personalisht zarfin zgjedhor me mjet identifikimi, që do t’u dërgohet nga operatori i shërbimit postar. Posta do shkojë 3 herë në orare të ndryshme.
Kompania postare DHL mund t’u lërë një shënim se kur operatori të paraqitet pranë, ose një shënim se ku mund të shkojnë vetë votuesit në zyrat postare për ta tërhequr. Sipas tij, zgjedhësit do të kenë 3-4 ditë kohë për ta plotësuar fletën e votimit dhe të nisin zarfin.
Sa i përket votimit brenda vendit, kryekomisioneri sqaroi se ka filluar rekrutimi i operatorëve për përdorimin e pajisjes së votimit. Ai tha se brenda 10 ditësh, do të instalojnë pajisjet në njësinë nr 10 dhe në bashkinë e Vorës, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të familjarizohen me të.