Sot është 111 vjetori i lindjes së shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përkujtuar ditëlindjen e Nënë Terezës.Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, kreu i shtetit shkruan se shenjtorja ishte simboli i frymëzimit të humanizmit de nënës së dhembshur shqiptare.

“Dashuria duhet vënë në veprim”, predikonte Shenjtorja Nënë Tereza, simboli më përfaqësues dhe frymëzues i humanizmit, solidaritetit dhe i vajzës, motrës dhe nënës së dhembshur shqiptare. Sot, në 111-vjetorin e lindjes së saj, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë është të ndjekim shembullin e veprës së saj dhe vlerat më të mira kombëtare, njerëzore dhe hyjnore që promovoi gjatë gjithë angazhimit jetësor. Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar ditëlindjen e Nënë Terezës. Ai ka publikuar në “Facebook” një foto të shenjtores dhe i uron ndjekësve me portretin e saj një ditë të paqtë.

“Me këtë foto të Nënë Terezës së shenjtë në ditën e lindjes së saj, ju uroj një ditë të paqtë si vetë ajo”, shkruan kreu i qeverisë.
Ndërkohë ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka e lidhi 111 vjetorin e humanistes me famë botërore Nënë Tereza me situatën aktuale të ardhjes së afganëve në Shqipëri si një shembull solidaritati të cilin gjithë jetën e saj e predikoi edhe vetë shenjtorja Nënë Tereza.

“111 vite më parë, një grua e veçantë lindi, një grua e cila vendosi t’ia dedikojë jetën e saj kujdesit për njerëzit. Sot, kur Shqipëria po përgatitet të mirëpresë mijëra njerëz të cilët po arratisen pasi jeta e tyre po kërcënohet, ne jemi krenarë që solidariteti dhe bamirësia për të cilën ajo predikoi dhe praktikoi gjatë gjithë jetës, është e pranishme mes shqiptarëve 🇦🇱. Gëzuar ditëlindjen Nënë Tereza!”
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza e Kalkutës ishte një murgeshë misionare me prejardhje shqiptare. Gjithë jetën e saj ia kushtoi humanizmit kudo në botë, kryesisht në Indi, një prej vendeve më të varfra. Në vitin 1979 Nënë Tereza u nderua me çmimin ndërkombëtar Nobel për paqen ndërsa në 19 tetor të vitit 2003 u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Në 4 shtator të 2016-ës u shpall shenjtore nga Papa Françesku asokohe duke u kthyer kështu në një prej figurave më të rëndësishme të kishës katolike.