
Zjarret e ditëve të fundit që gjunjëzuan Shqipërinë duke shkaktuar dëme kolosale në bujqësi, blegtori, banesa e madje dhe 1 të vdekur, rezultojnë që në shumicën e rasteve të jenë të qëllimshme.
Policia e Shtetit zyrtarisht bën me dije që në harkun kohor të rreth 3 muajve, nga qershori deri më sot (14 gusht), janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve. Nga këta, 46 janë arrestuar dhe 91 janë nën hetim në gjendje të lirë.
Disa zjarrvënës janë identifikuar edhe nga monitorimi nga ajri përmes dronit, të cilët janë kapur në flagrancë duke ndezur zjarre.
Policia e shtetit bene te ditur se, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.
Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre.
Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre






