
Klomentina Drini është prezantuar ditën e sotme si kandidate për kryebashkiake e grupimit “Alibeaj” në PD për bashkinë Vau- Dejës. Pas Zef Hilës, fitues i primareve të Partisë Demokratike, Drini është zyrtarisht kandidatura e dytë.
Pas publikimit të emrit, nuk ka vonuar reagimi i vetë mbështetësve dhe drejtuesve të grupimit “Alibeaj” në Vau- Dejës. Gentian Ndoj, në një publikim në rrjete sociale në emër të Partisë Demokratike lokale, bën me dije se strukturat lokale të Partisë Demokratike, Dega Vau Dejës nuk kanë zhvilluar asnjë takim për të diskutuar lidhur me kandidaturën tonë për zgjedhjet e 14 Majit dhe as nuk kanë dërguar ndonjë propozim pranë PD-së qëndrore. Në këtë kuptim, përgenjështrojmë çdo lajm për zyrtarizimin e kandidaturës tonë për Bashkinë Vau Dejës, në kushtet kur strukturat nuk janë mbledhur, nuk kanë diskutuar, nuk kanë propozuar e aq më pak të kenë marrë ndonjë vendim lidhur me emrin e kandidatit.
Çdo vendim, i ndryshëm nga vullneti i strukturave lokale të PD Vau Dejës do ishte jo vetëm anti-statutor, por një mohim i sakrificave të demokratëve të kësaj zone, dhe veçanërisht qëndresës së tyre në mbështetje të lidershipit zyrtar gjatë vitit të fundit. Qëllimi ynë i vetëm mbetet bashkimi përreth një kandidati të vetëm dhe fitorja e zgjedhjeve të 14 Majit, për t’ua kthyer Bashkinë qytetarëve të Vau Dejësit, pas 4 viteve pengmarrje nga Mark Babani dhe njerëzit e tij, thuhet në publikimin e Gentian Ndoj në rrjetet sociale.
Indirekt, kuptohet se grupimi “Alibeaj” në Vau Dejës, konsideron kandidature të vetën Zef Hilën, i dale nga procesi i primareve të Partisë Demokratike.


