Ëndrra e ndaluar e Italisë ia doli të vrasë përsëri në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën zero. Pas 16 muajsh “paqeje” që po ashtu i ngjanin ëndrrës, trafikantët i ndezën sërish motorët e gomoneve.
Në udhëtimin e saj të parë, që nisi mbrëmjen e 9 janarit nga bregdeti i Vlorës, një gomone 12 metra e gjatë me 31 persona në bord mbeti në kurth, aty mes dallgëve. Njëzet nga udhëtarët e saj, – 17 burra dhe 3 gra – u gjetën mëngjesin e 10 janarit nga një helikopter i Nato-s së ushtrisë italiane: të ngërthyer njëri pranë tjetrit, në një pellg uji të kripur dhe benzine, vdekur nga të ftohtit. Njëmbëdhjetë të tjetërt shpëtuan. Ishin në grahmat e fundit, por ishin gjallë. Mes tyre edhe dy skafistët, që u arrestuan menjëherë së bashku me disa funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë, e që akuzohen tashmë si shkaktarët e tragjedisë. Alarmi i parë u dha në mbrëmjen e 9 janarit, kur një telefonatë nga Shkodra i sinjalizon policisë një avari në gjirin e Vlorës. Deti me dallgët pothuaj 5 metra të larta, i pengoi mjetet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje.
Të paktën kështu u tha. U tha edhe që forcat e rendit vetëm pak orë më parë ishin sinjalizuar për një tjetër gomone, të ngarkuar me drogë, që ishte nisur po ashtu nga bregdeti i Jonit. U mendua se bëhej fjalë për të njëjtën gomone. Por sinjalizimet vazhduan, deri në një thirrje dramatike që u lëshua nga një celular, pikërisht nga bordi i gomones. Drejtpërsëdrejti në kanalin televiziv Top channel, një nga skafistët kërkonte ndihmë. Nën një emocion të drejtpërdrejtë mijëra shqiptarë ndalën frymën.
U thirrën për ndihmë italianët dhe grekët. Nga Durrësi u nis një motobarkë e kalibrit të rëndë, ndërsa nga baza e Nato-s në Brindizi u ngrit një helikopter. Në detin që nuk desh të qetësohej dhe erën me një fuqi deri në 50 nyje, kërkimet përfunduan vetëm mëngjesin e së nesërmes. Rreth orës 8.45 pilotët kanë dalluar më në fund gomonen me të mbijetuarit. Më pas, përmes mjergullës që mbulonte atë pjesë të detit, zbuluan se nën këmbët e atyre që shkundnin duar e këmbë e ulërinin për të kërkuar ndihmë, qëndronte një kapicë kufomash